Pakënaqësitë brendaAleancës në Prishtinë, të nisura qysh kur në krye të degës erdhi Kreshnik Smajlaj, kanë kulmuar këtë javë në veprime konkrete kundër njëri-tjetrit.

Driton Bardheci, drejtor i Administratës në Komunën e Prishtinës, nga radhët e Aleancës të hënën është bërë pjesë e vendimit për shkarkimin e bordit të drejtorëve të ndërmarrjes publike “Stacioni i Autobusëve”, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Kryesues i këtij bordi, deri para katër ditësh, ka qenë Shaban Brahimaj, djali i ish-deputetit të AAK-së, Lahi Brahimaj.

Reklamë

Pjesë e këtij bordi, si anëtarë, kanë qenë edhe të paktën dy emra tjerë të Aleancës në Prishtinë: Fadil Arifi ish-kandidat për asamblenë e Prishtinës nga kjo parti, dhe Nora Cukaj Rexha, gruaja e një emri tjetër në listën e AAK-së për Kryeqytetin, në zgjedhjet e fundit lokale.

Përveç Bardhecit, – në këtë shkarkim të ish-bordit të përbërë nga njerëz të Aleancës, të afërt me kryetarin e degës së kësaj partie në Prishtinë, – anëtar i komisionit komunal të Aksionerëve që morri vendimin ishin edhe Yll Bogaj, asamblisti i Prishtinës që u largua nga AAK-ja në prill të këtij viti, dhe Fiknete Bejta nga LDK-ja, dikur pjesë e AAK-së gjithashtu.

Vendimin e treshes Bardheci, Bogaj dhe Bejta për shkarkimin e bordit të Stacionit të Autobusëve në Prishtinë, e ka kundërshtuar tashmë ish-bordi.

“Vendimin për shkarkimin e Bordit ne e kundërshtojmë , pasi konsiderojmë se vendimi është marrë nga persona të cilët, në momentin e ndërmarrjes së këtyre veprimeve, ende nuk e kishin fituar mandatin për të ushtruar kompetencat e aksionarit”, ka deklaruar Bajgora. “Sipas Bordit, vendimi nr. 01-020/04-146972/26 përcakton se ai hyn në fuqi 30 ditë pas regjistrimit në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), si dhe shtatë ditë pas publikimit në ueb-faqen e Kryeqytetit”, ka deklaruar të hënën ish-anëtarja e Bordit, Elona Bajgora.

Deri në emrin e anëtareve të rijnë të Bordit, Kuvendi Komunal i Prishtinës që ka miratuar vendimin për shkarkimin e ish-bordit, anëtarët e shkarkuar i ka zëvendësuar përkohësisht me Bogajn edhe Bardhecin.

Reklamë

Ndryshe, pakënaqësitë brenda degës së Aleancës në Prishtinë, kanë nisur qysh kur në prill Yll Bogaj, një prej ish-emrave kryesorë të kësaj dege u largua nga partia pas 19 vitesh angazhim në AAK.

“Nuk më dhemb largimi nga subjekti, por zhgënjimi nga njerëz dhe qëndrime prej të cilave kam pritur korrektësi, besim dhe bashkudhëtim. Kur përkushtimi dhe lojaliteti përballen me PABESI, heshtja nuk është më virtyt“, kishte shkruar ish-anëtari i AAK-së në letrën e dorëheqjes së tij.

Ato shpërthyen disa javë pas, në fillim të majit, me ardhjen e Kreshnik Smajlaj në krye të kësaj dege.

Pos Bogajt që u largua krejtësisht nga partia, muajve të fundit edhe tre asamblistë tjerë të Aleancës në Prishtinë janë larguar nga grupi i asamblistëve të kësaj partie në Kuvendin Komunal të Kryeqytetit, raporton gazeta online Reporteri.net.

Reklamë

Fjala është për Erblina Tahiraj, Valbona Vitija-Ajeti dhe Endrit Gashin, që bashkë me Bogajn, më 29 gusht 2026 njoftuan krijimin e Grupit Parlamentar “Prishtina+”.

Pjesë e këtij grupi të pakënaqurish brenda Aleancës në Prishtinë llogaritet të jetë edhe Driton Bardheci, drejtori komunal i kësaj partie në kryeqytet.

Përkundër shkarkimit, në ueb-faqen zyrtare të NPL “Stacioni i Autobusëve” Sh.A., emrat e katër ish-anëtarëve figurojnë ende tek seksioni i bordit të ndërmarrjes publike komunale. /Reporteri.net/.