Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, të enjten u tha mbështetësve të tij nga komuniteti druze se ai bisedoi me presidentin sirian, Ahmed al-Sharaa, pak pasi Izraeli kishte bombarduar caqe qeveritare në Damask vitin e kaluar, duke e përmendur si arsyetim nevojën për t’i mbrojtur druzët sirianë.

Komentet e tij janë raporti i parë që një bisedë mes kryeministrit izraelit e presidentit sirian ka ndodhur. Kjo mund të jetë biseda e parë e drejtpërdrejtë mes udhëheqësve të këtyre dy vendeve, të cilat kanë zhvilluar disa luftëra dhe nuk kanë marrëdhënie diplomatike, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

Izraeli, vend ku jetojnë rreth 150 mijë druzë, e goditi Ministrinë e Mbrojtjes të Sirisë dhe afër pallatit presidencial në Damask në korrikun e vitit 2025 në kohën e gjakderdhjes sektare në provincën Sëeida të Sirisë, ku shumica e banorëve janë druzë.

Reklamë

Më shumë se 2 mijë njerëz, përfshirë 789 civilë druzë, u vranë gjatë luftimeve mes fraksioneve të armatosura të këtij komuniteti dhe luftëtarëve beduinë, sipas Vëzhguesit Sirian për të Drejtat e Njeriut. Forcat qeveritare ndërhynë në anën e beduinëve dhe u akuzuan për ekzekutim të civilëve druzë dhe abuzime të tjera.

“Ishte një bisedë shumë e shkurtër dhe shumë e mprehtë. Dhe masakra u ndal” – tha Netanyahu, duke iu referuar bisedës telefonike me presidentin sirian.

“Unë do të bëj gjithçka që mundem për t’i mbrojtur vëllezërit tanë dhe vëllezërit tuaj” – tha ai në një konferencë në qytezën veriore, Yarka.

Izraeli mori nën kontroll një zonë neutrale në anën siriane të kufirit dhe kreu qindra sulme në Siri, pasi forcat xhihadiste të udhëhequra nga al-Sharaa e rrëzuan Assadin në dhjetorin e vitit 2024.

Izraeli dhe Siria kanë zhvilluar disa runde bisedimesh të drejtpërdrejta nga shtatori i vitit të kaluar për një marrëveshje të sigurisë. Siria e ka kërkuar tërheqjen e plotë të forcave izraelite nga territori i saj në zonën kufitare.

Reklamë