Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka dërguar një paralajmërim të fuqishëm ndaj Rusisë, duke deklaruar se Aleanca Veriatlantike është e gatshme të mbrojë çdo centimetër të territorit të vendeve anëtare në rast të një sulmi.
Gjatë një vizite në Estoni, Rutte ka theksuar se NATO aktualisht nuk sheh ndonjë kërcënim të drejtpërdrejtë ushtarak nga Rusia, por ka paralajmëruar se Moska vazhdon të përbëjë kërcënim afatgjatë për sigurinë evropiane.
Sipas tij, Rusia aktualisht nuk është në gjendjen më të mirë ushtarake, ndërsa veprimet e saj hibride në Evropë janë shenjë e dobësisë.
Rutte ka deklaruar se Aleanca nuk ka vërejtur përqendrim të forcave ruse që do të mund të përdoreshin për një sulm ndaj ndonjë shteti anëtar të NATO-s.
Megjithatë, ai ka paralajmëruar se nëse vërehen përgatitje të tilla, NATO do të reagojë.
“Do të mbrojmë çdo centimetër të territorit të vendeve të NATO-s, pavarësisht nëse aty jetojnë njerëz apo jo, nëse është afër Parisit, Talinit, Uashingtonit apo Otavës. I kemi përgatitur të gjitha planet e nevojshme dhe jemi gati”, ka deklaruar Rutte.
Ai ka theksuar se NATO tashmë ka vendosur njësi tokësore përgjatë krahut lindor të Aleancës, të cilat janë të gatshme të reagojnë në rast të ndonjë agresioni.
NATO paralajmëron shkatërrimin e forcave që do të sulmonin vendet anëtare
Rutte ka rikujtuar edhe deklaratat e gjeneralit amerikan Alexus Grynkewich, komandantit suprem të forcave aleate të NATO-s në Evropë.
Sipas tij, nëse Rusia do të tentonte të sulmonte ndonjë vend anëtar të Aleancës, forcat e NATO-s do të shkatërronin gjithçka që do të përdorej për realizimin e atij agresioni.
Ky paralajmërim vjen në kohën kur shërbimet e inteligjencës të disa vendeve të NATO-s kanë ngritur vazhdimisht shqetësime për mundësinë e një sulmi rus në të ardhmen.
Megjithatë, këto shërbime kanë theksuar se aktualisht nuk ka tregues të qartë për përgatitje të një operacioni të afërt ushtarak kundër Aleancës.
Rutte: Rusia po zhvillon luftë hibride, por NATO është e përgatitur
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ka folur edhe për kërcënimet hibride që, sipas tij, Rusia po i ndërmerr kundër vendeve evropiane.
Ai ka theksuar se Aleanca ka në dispozicion të gjitha mjetet e nevojshme për t’iu përgjigjur këtyre veprimeve, por ka paralajmëruar se jo çdo kundërpërgjigje do të bëhet publike.
“Do të reagojmë aty ku është e nevojshme. Nuk do t’i shihni gjithmonë kundërpërgjigjet tona dhe ato nuk do të bëhen gjithmonë publike”, ka deklaruar Rutte.
Ai ka shpjeguar se reagimi i NATO-s nuk do të jetë domosdoshmërisht i njëjtë me veprimin e Rusisë.
“Ndonjëherë reagimi ynë do të jetë simetrik, ndërsa herë të tjera krejtësisht i kundërt”, ka shtuar ai.
Sipas Ruttes, Moska do të dëshironte që vendet evropiane të përfshiheshin vazhdimisht në debate dhe shqetësime për veprimet e saj, por NATO nuk do të lejojë që kjo ta pengojë reagimin e Aleancës.
Deklaratat e shefit të NATO-s vijnë në një periudhë tensionesh të vazhdueshme ndërmjet Rusisë dhe vendeve perëndimore, ndërsa Aleanca ka shtuar vëmendjen ndaj sigurisë së krahut të saj lindor.