Ndeshja e së martës mes PSG-së dhe Barcelonës në “Parc des Princes” është vënë në hije nga tensionet sociale që kanë përfshirë Francën ditët e fundit.

Protestat e fundjavës, disa prej të cilave përfunduan me përleshje mes demonstruesve dhe forcave të sigurisë, kanë ngritur shqetësime për mundësinë e incidenteve të tjera në Paris, në të njëjtën kohë kur do të zhvillohet ndeshja e Ligës së Kampionëve.

Shqetësimi ka arritur edhe te policia.

Reklamë

Sipas mediumit francez “AlertesInfos”, një përfaqësues sindikal i policisë franceze, pjesë e sindikatës CFTC, ka kërkuar shtyrjen e ndeshjes mes Paris Saint-Germainit dhe Barcelonës, për shkak të frikës nga trazirat e mundshme.

Kjo kërkesë ka nxitur debat rreth sigurisë së ndeshjes, ndonëse Ministria e Brendshme e Francës e ka bërë të qartë se takimi do të zhvillohet sipas planit.

Gazeta franceze “Onze Mondial” ka raportuar se ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, ka folur për mundësinë e shtyrjes së ndeshjes, duke e përjashtuar kategorikisht një skenar të tillë.

“Nuk ka asnjë plan për shtyrjen e ndeshjes mes Paris Saint-Germainit dhe Barcelonës, e as të ndonjë ndeshjeje tjetër të Ligës së Kampionëve. Zhvillimi i ndeshjeve nuk vihet në dyshim”, deklaroi ai.

Reklamë

Në këtë mënyrë, qeveria franceze është përpjekur t’i largojë dyshimet rreth zhvillimit të ndeshjes evropiane. Pavarësisht shqetësimeve të shprehura nga sindikatat e policisë, qëndrimi i Ministrisë është se incidentet e fundit nuk e rrezikojnë zhvillimin e përballjes mes PSG-së dhe Barcelonës.

Protestat e fundjavës shkaktuan skena tensioni në disa pjesë të Francës, përfshirë edhe kryeqytetin, ku u raportuan akte vandalizmi dhe përleshje me forcat e sigurisë.

Kjo situatë ka shtuar frikën për incidente të tjera rreth një ndeshjeje që pritet të tërheqë mijëra tifozë.

Përballja mes PSG-së dhe Barcelonës është planifikuar të zhvillohet të martën, më 20 tetor, në orën 21:00, në stadiumin “Parc des Princes”, në kuadër të xhiros së tretë të fazës së ligës së Ligës së Kampionëve.

Reklamë

Deri më tani, nuk është njoftuar asnjë ndryshim në orarin e ndeshjes. Kërkesa për shtyrje ka ardhur nga një përfaqësues i sindikatës së policisë, ndërsa Ministria e Brendshme e Francës këmbëngul se takimi do të zhvillohet sipas planit.