Qeveria e Kosovës ka themeluar Grupin Punues për hartimin, bashkërendimin dhe harmonizimin e strategjisë shtetërore për procedurat e Apelit në Dhomat e Specializuara në Hagë, me synimin e koordinimit të mbështetjes juridike, institucionale dhe diplomatike për katër ish-krerët e UÇK-së. Grupi do të udhëhiqet nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ndërsa në të do të përfaqësohen institucionet shtetërore dhe të gjitha partitë parlamentare.
Grupi Punues është kompletuar pas vendimit të Kryesisë së Kuvendit për caktimin e përfaqësuesve të partive politike.
Kuvendi do të përfaqësohet nga nënkryetarja Vlora Çitaku, Lëvizja Vetëvendosje nga Adnan Rrustemi, PDK-ja nga Uran Ismaili, AAK-ja nga Bekë Berisha ndërkohë nga LDK-ja ende nuk është zyrtarizuar përfaqësuesi. Ngjashëm, as përfaqësuesi i Presidencës ende nuk është bërë i ditur.
Nisma vjen pas aktgjykimit të shkallës së parë, të shpallur më 16 shtator 2026, ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe synon të përcaktojë një qasje të koordinuar shtetërore për fazën e Apelit. Në kuadër të punës së tij, grupi pritet të hartojë propozime për strategjinë dhe planin e veprimit, si dhe të bashkëpunojë me ekspertë të fushave përkatëse.
Propozimi fillestar i strategjisë dhe plani i veprimit duhet të hartohen brenda 30 ditësh, ndërsa mandati i Grupit Punues është gjashtë muaj. Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka mirëpritur themelimin e tij, duke theksuar se Kuvendi synon të japë kontribut maksimal në këtë proces dhe se në punën e grupit do të ftohen edhe ekspertë të fushave të ndryshme.
Gucati: Shoqatat e dala nga lufta është dashur të jenë pjesë e Grupit Punues për Hagën
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, e ka mirëpritur formimin e Grupit Punues për hartimin e strategjisë shtetërore për procedurat e Apelit në Hagë, por ka shprehur habinë që përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta nuk janë ftuar të jenë pjesë e tij.
Gucati ka thënë se grupi është formuar me vonesë, por ka përgëzuar institucionet për këtë nismë, duke theksuar se OVL-UÇK-ja është e gatshme të ofrojë mbështetje të pakufizuar nëse kërkohet një gjë e tillë.
Ai ka vlerësuar se përfshirja e shoqatave të luftës do të ishte e rëndësishme, pasi ato kanë juristë dhe dokumente që mund të kontribuojnë në mbështetjen e ish-krerëve të UÇK-së në procesin gjyqësor.
‘’Ishalla kanë sukses ky grup punues ne jemi befasuar që nuk na kanë thirrë është deshtë të jetë pjesë edhe dikush nga shoqatat e luftës në këtë grup punues mirëpo mirë prapë që është formuar, është formuar pak me vonesë mirëpo i përgëzo sepse ndihmën tonë do ta kenë pa kufi gjithmonë nëse ata na kërkojnë. Është dashur ta thërrasin dikë nga ne, sepse edhe ne kemi juristë’’, tha Gucati.
Sipas Gucatit, Grupi Punues duhet të bashkëpunojë ngushtë me ekipet mbrojtëse dhe t’u ofrojë ndihmë konkrete gjatë fazës së Apelit.
‘’ Unë mendoj që grupi punues duhet të punojë shumë në mbrojtjen e krerëve sepse ndaj tyre është marrë vendim i padrejtë, grupi punues duhet të jetë shumë i afërt me mbrojtjen të bashkëpunojnë dhe tua japin ndihmën e tyre, mendoj se ky grup do të japë efekt’’, deklaron kreu i OVL-UCK për FrontOnline.
Gucati tha se nëse dikush nga Organizat e dala nga Lufta do të ishte pjesë e këtij grupi punues do të ndihmonte shumë përmes fakteve dhe dokumenteve që, sipas tij, mund të ndihmojnë në kundërshtimin e materialeve të dërguara nga Serbia në gjykatë.
‘’Nëse do ta thërrisnin dikë nga shoqatat e dala nga lufta është mirë ta thërrasin kemi fakte që të paktën ti demantojmë dokumentet që i ka dërguar Serbia në gjykatë, mirëpo unë prapë i përshëndes por mirë kishte qenë të jemi edhe ne pjesë sepse sa më shumë aq më mirë’’, përfundon Gucati.
Musliu-Shoshi: Strategjia për Hagën është dashur të bëhet që nga viti 2021
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi, e ka vlerësuar si hap pozitiv themelimin e Grupit Punues për hartimin e strategjisë shtetërore për qasjen ndaj Dhomave të Specializuara në Hagë, por ka theksuar se ky veprim është dashur të ndërmerret shumë më herët.
Ajo tha se Kosova është dashur të ketë një strategji shtetërore për këtë çështje që nga viti 2021. Megjithatë, ajo ka shprehur shpresën që strategjia e re të mos mbetet vetëm në letër, por të konkretizohet përmes angazhimit juridik, diplomatik dhe institucional në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
‘’ Themelimin e Grupit Punues e vlerësoj si hap pozitiv, por shumë të vonuar. Kosova është dashur të ketë një strategji shtetërore për qasjen ndaj Dhomave të Specializuara që nga viti 2021. Sidoqoftë, shpresoj që kjo strategji të mos mbetet vetëm në letër, por të sjellë angazhim konkret juridik, diplomatik dhe institucional në mbështetje të çlirimtarëve tanë’’, tha Musliu-Shoshi.
Musliu-Shoshi e konsideron Gjykatën Speciale politike dhe vlerëson se ajo ka cenuar parimet themelore të drejtësisë. Ajo thotë se institucionet e Kosovës kanë përgjegjësi të mbrojnë të vërtetën historike, sakrificën e popullit dhe të drejtën e Kosovës për liri.
Deputetja e PDK-së ka nënvizuar se synimi përfundimtar i kësaj strategjie duhet të jetë vendosja e drejtësisë, mbrojtja e së vërtetës historike dhe lirimi i ish-krerëve të UÇK-së.
‘’Përballë një gjykate që e konsideroj politike dhe që ka cenuar parimet themelore të drejtësisë, kemi përgjegjësi ta mbrojmë të vërtetën tonë historike, sakrificën e popullit tonë dhe të drejtën tonë për të jetuar të lirë. Qëllimi përfundimtar duhet të jetë drejtësia, mbrojtja e së vërtetës historike dhe lirimi i çlirimtarëve tanë!’’, përfundon deputetja e PDK-së.
Kadrijaj pret angazhim maksimal: Kosova duhet t’u dalë në krah ish-krerëve të UÇK-së
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, e ka mirëpritur formimin e Grupit Punues për hartimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e Apelit në Hagë, duke shprehur pritjen që të gjitha partitë politike të angazhohen maksimalisht për hartimin e një strategjie të mirëfilltë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.Kadrijaj ka thënë se tashmë grupi duhet të përcaktojë qartë qasjen dhe hapat që duhet të ndërmerren, në mënyrë që Kosova, si shtet, të japë kontributin e saj në këtë proces.
Ajo ka theksuar se ligji i votuar në Kuvend parasheh hartimin e strategjisë, ndërsa tani mbetet që grupi punues të përcaktojë se çfarë kërkohet dhe si mund të arrihen objektivat e synuara.
‘’Mua më vjen mirë që është formuar ky grup dhe është në përbërje të të gjitha partive politike besoj që do të angazhoheshin maksimalisht për hartimin e një strategjie të mirëfilltë se si do të jetë casja, në distribuimin e punëve në mënyrë që të bëhet më e mira si shtet që tu dalim në krah ish krerëve të UCK-së. Besoj se do të ketë sukses, edhe ligji është votuar në kuvend parasheh krijim strategjie dhe normal tash grupi punues duhet të dijë saktë çka kërkohet dhe cilët do të jenë hapat që të arrijmë atë që dëshirojmë’’, tha Kadrijaj për FrontOnline.