Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka kritikuar raportin e UNMIK-ut për Kosovën, gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Konjufca e ka cilësuar raportin si selektiv, duke pretenduar se një pjesë e tij mbështetet në propagandën serbe dhe dezinformata, ndërsa nuk i pasqyron plotësisht përparimet e Kosovës në sundimin e ligjit, stabilitetin institucional dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Gjatë adresimit të tij para Këshillit të Sigurimit, ai ka kundërshtuar edhe mënyrën se si raporti i referohet sulmit të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, duke thënë se ai nuk duhet të cilësohet thjesht si një ngjarje e dhunshme.
“Është dëshpëruese që shumë këso rastesh të trajtuara në raportin e UNMIK-ut bazohen kryesisht te propaganda serbe, është fatkeqe që edhe sulmi paramilitar në Banjskë, i organizuar, orkestruar, mbështetur nga Beogradi zyrtar, përmes Radiçiqit, përmendet në këtë raport si një ngjarje e dhunshme në vend që të përmendet siç është, pra sulm terrorist. Nga 92 rastet e përmendura si propagandë politike nga zyra e ashtuquajtur për Kosovë, asnjëra nuk ka ndonjë prapavijë ose motiv etnik. Me keqpërdorimin e konotacioneve etnike dhe fabrikimeve të tilla, raporti përmban dezinformata dhe qëllimisht i keqinterpreton veprimet e zbatimit të ligjit apo cenimin e rendit publik, duke i përshkruar ato si të motivuara etnikisht apo shkelje të të drejtave”, u shpreh Konjufca.
Konjufca ka kundërshtuar gjithashtu, siç është shprehur, keqpërdorimin e konotacioneve etnike dhe keqinterpretimin e veprimeve të institucioneve të Kosovës në raportin e UNMIK-ut.
Duke folur për zhvillimet në vend, ai ka theksuar se Kosova ka shënuar përparim në disa fusha dhe vazhdon të jetë, sipas tij, një nga demokracitë më stabile në Evropën Juglindore.
“Vlerësimet e pavarura tregojnë që kemi arritur sukses në luftën kundër korrupsionit, përforcim të sundimit të ligjit, si dhe institucione demokratike që mbrojnë të drejtat dhe liritë e njeriut dhe avancojnë demokracinë”, ka deklaruar Konjufca.
Një pjesë të fjalimit ia ka kushtuar edhe situatës në veri të Kosovës, ku ka thënë se Qeveria po punon për garantimin e sigurisë dhe krijimin e kushteve për prosperitet në të gjithë territorin e vendit, përfshirë zonat e banuara nga komunitetet joshumicë.
Konjufca ka deklaruar se institucionet e Kosovës kanë mbyllur strukturat që i cilësojnë ilegale dhe që, sipas tij, operojnë nga Serbia dhe pengojnë integrimin e komuniteteve.
“Kemi mbyllur strukturat ilegale që operojnë nga Serbia, të cilat pengojnë integrimin etnik dhe cenojnë institucionet tona demokratike”, ka thënë ai, duke shtuar se këto veprime synojnë të sigurojnë siguri juridike dhe trajtim të drejtë për qytetarët.
Ai ka përmendur gjithashtu bashkëpunimin e Policisë së Kosovës me misionet ndërkombëtare KFOR dhe EULEX, si dhe ofrimin e shërbimeve publike në komunat veriore.
Sipas Konjufcës, këto shërbime përfshijnë kadastrin, regjistrimin e bizneseve, pensionet, zyrat e punësimit dhe administratën tatimore.
Konjufca, Gjuriqit: Serbia i ka vrarë 12 mijë të pafajshëm në vendim tim, asnjë fjalë nga ti
Po ashtu, Konjufca gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit ka thënë se Serbia ka vrarë 12 mijë njerëz të paarmatosur e të pafajshëm në Kosovë, duke iu drejtuar ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq që nuk po e thotë asnjë fjalë për krimet serbe.
Konjufca ka thënë se kjo quhet mohim i drejtësisë.
Në fjalën e tij gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit, Konjufca ka folur edhe për vendimin e Dhomave të Specializuara të cilat shpallën fajtorë katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për këtë, Konjufca deklaroi se pavarësisht që u theksua që UÇK-ja nuk është në gjykim dhe nuk është qëllimi që të humben vlerat e luftës çlirimtare, shteti i Kosovës do të punojë që në shkallën e Apelit të korrigjohet padrejtësia.
“Shteti i Serbisë me flamurin e Serbisë ka vrarë në vendim tim 12 mijë njerëz të paarmatosur, të pafajshëm shqiptarë. Asnjë fjalë nga ministri Gjuriq për 12 mijë shqiptarë të vrarë. Këtë e quaj unë mohim të drejtësisë. Këtë e ka mohuar ai sepse shteti i tij i ka kryer të gjitha këto masakra. Aktgjykimi së voni i trupit gjykues të Dhomave të Specializuara ka provokuar një reagim të fortë negativ në Kosovë. Si popull viktimë, Kosova ka bashkëpunuar me Tribunalin e Hagës dhe gjykatat e tjera dhe organet e tjera të OKB-së në ndjekjen dhe dënimin e të gjitha krimeve të luftës pa marrë parasysh përkatësisë etnike. Njëjtë kemi vepruar edhe me Dhomat e Specializuara. Aty u theksua qartë që lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk është në gjykim dhe vendimi nuk ka për qëllim të humb vlerën e luftës çlirimtare e pastaj edhe shpalljen e shtetit të pavarur si elementi më i rëndësishëm i stabilitetit të rajonit. Pavarësisht kësaj kemi shqetësime serioze për sa i përket dënimeve të ashpra. Ne mendojmë se ato përmbajnë gabime në kuptimin e përmbajtjes dhe fakteve dhe presim që në Apel t’i korrigjojmë këto”, ka deklaruar Konjufca.
Tutje Konjufca ka kërkuar që Serbia të ndalojë së penguari Kosovën në anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare, derisa ka përmendur edhe padrejtësitë dhe shkeljet e të drejtave të shqiptarëve të Luginës që iu bëhen nga Serbia.
“Serbia duhet të ndalë pengimin sistematik të anëtarësimit të Kosovës në organizaata ndërkombëtare dhe të miratojë njohjen e ndërsjellë si bazë për marrëdhënieve ndërshtetërore. Sovraniteti i Repulbikës së Kosovës nuk është i negocioushëm. Roli destruktiv i Serbisë është reduktuar përveç sabotimit dhe operacioneve të spiunazhit përtej kufijve, nxitjes së luftës dhe diskriminimit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Këto duhet të jenë brengat e Këshillit po ashtu”, ka thënë Konjufca.
Shefi i UNMIK-ut në OKB kërkon përgjegjësi për Banjskën dhe sulmin në Ibër-Lepenc
Nga ana tjetër, Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe shefi i UNMIK-ut, Peter Due, ka thënë se e ritheksojnë brengosjen e Bashkimit Evropian për ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale, duke shtuar se duhet të respektohet integriteti dhe pavarësia e gjyqësorit.
Due ka kritikuar Policinë e Kosovës me pretendimin nuk ka ndarë informata me OKB-në gjatë kohës së protestave në Kosovë që u mbajtën pas vendimit të Gjykatës Speciale më 16 shtator. Ndër të tjera, Due ka kërkuar përgjegjësi për sulmin në Banjskë dhe kanalin e Ibër-Lepencit.
Duke folur në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku po raportohet për Kosovën, Due ka thënë se pas aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit dhe tre ish-komandantëve të tjerë, u organizuan demonstrata në vende të ndryshme, shumica prej të cilave, sipas tij, mbetën paqësore.
Në po këtë mbledhje, Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, është ankuar kinse për jetën jonormale e nën presion të serbëve që jetojnë në veriun e Republikës së Kosovës gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së të martën.
Ai ka folur për aktgjykimin dënues ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Gjykata Speciale, derisa e ka kritikuar Kosovën e Shqipërinë për reagimet kundër gjykatës.