Bedri Hamza ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Vendimin e ka bërë publik në një konferencë për media, pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë së partisë.
Hamza tha se vendimi është marrë me përgjegjësi dhe me bindjen se PDK-ja duhet të hyjë në një fazë të re, përmes një procesi të brendshëm zgjedhor, ku anëtarësia do ta ketë fjalën e saj.
“Për mua, kjo kohë tashmë veç ka ardhur. Unë, sapo e përfundova mbledhjen e kryesisë, dhe sot para jush dhe para të gjithë qytetarëve, dua të bëj publik vendimin tim. Sot kam dhënë dorëheqjen e parevokueshme nga pozita e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës”, deklaroi Hamza, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Ai theksoi se nuk po largohet nga partia, por vetëm nga pozita e kryetarit, duke u zotuar se do të vazhdojë të jetë pjesë e PDK-së.
“Dhe nga sot, e deri sa të kem jetë, do të jem votues besnik i Partisë Demokratike të Kosovës, anëtar i thjeshtë i kësaj partie, familjeje të madhe, i gatshëm të kontribuoj për të, pa marrë parasysh pozitat”, tha ai.
Hamza e arsyetoi vendimin edhe me nevojën për hapjen e një etape të re brenda partisë, duke thënë se të rinjve duhet t’u krijohet hapësira e merituar për të kontribuar.
Ai rikujtoi se që nga shkurti i vitit 2025, PDK-ja ka kaluar nëpër katër procese zgjedhore, të cilat, sipas tij, kanë sjellë angazhime të mëdha dhe nuk kanë lënë hapësirë të mjaftueshme për konsolidimin e brendshëm të partisë.
Hamza tha se gjatë drejtimit të tij është përpjekur ta ruajë unitetin e PDK-së, të mos përjashtojë askënd dhe të mos ndryshojë strukturat partiake.
Në fjalën e tij, ai foli edhe për vendimin e Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të cilin e cilësoi si padrejtësi të madhe. Hamza tha se përgjegjësitë që kishte marrë në PDK pas dërgimit të ish-udhëheqësve të saj në Hagë, në vitin 2020, i kishte konsideruar si detyrim ndaj partisë dhe Kosovës
Hamza, pasi dha dorëheqjen e parevokueshme nga ky post në parti, tregoi se kishte shpresa që menjëherë pas 16 shtatorit, këtë përgjegjësi t’ua kalonte “liderëve tonë të luftës dhe të paqes”.
Hamza tha se për këtë kishte shpresuar deri “në momentin e fundit”.
“Kam besuar se menjëherë pas 16 shtatorit ata do të ktheheshin dhe do të vazhdonin vetë rrugëtimin e tyre politik. Edhe përkundër rrethanave të mia personale, kam qëndruar dhe kam vazhduar me shpresën se kjo ditë do të vinte. Por, 16 shtatori fatkeqësisht e padrejtësisht na bëri këtë shpresë edhe pak më të largët. Megjithatë, as unë as PDK nuk do të dorëzohemi në përpjekjet tona për lirimin e tyre. Do të vazhdojmë të angazhohemi për drejtësi, për të vërtetën, dhe për kthimin e tyre pranë familjeve, pranë popullit dhe pranë Kosovës sepse lirinë e tyre e duam edhe më shumë sesa lirinë tonë”./Reporteri.net/