Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka kërkuar sot në seancën e Kuvendit që institucionet e Kosovës të mbështesin një mekanizëm profesional dhe të pavarur për monitorimin e procedurave pranë Dhomave të Specializuara, në përputhje me kornizën ligjore dhe garancitë për pavarësinë e gjyqësorit.

Duke iu referuar raportit të Avokatit të Popullit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, ajo tha se shqetësimet e ngritura për të drejtat e ish-drejtuesve të UÇK-së kërkojnë trajtim serioz dhe veprim institucional.

“Kur institucioni kushtetues për mbrojtjen e të drejtave të njeriut ngre shqetësime të kësaj peshe, Kuvendi ka detyrim t’i shqyrtojë ato dhe të kërkojë veprim nga institucionet përgjegjëse”, deklaroi Deliu-Kodra.

Reklamë

Sipas saj, raporti ngre pikëpyetje për transparencën, llogaridhënien, barazinë e palëve dhe garancitë për një gjykim të drejtë e të paanshëm. Ajo e cilësoi veçanërisht shqetësues vlerësimin se mandati i Dhomave të Specializuara ka devijuar nga qëllimi fillestar.

Deputetja e PDK-së ngriti edhe çështjen e mungesës së mbikëqyrjes demokratike, duke theksuar se institucionet e Kosovës nuk kanë pasur mundësi reale për të ushtruar mbikëqyrje dhe për të kërkuar llogaridhënie mbi funksionimin e tyre.

Deliu-Kodra përmendi shqetësimet për respektimin e jetës private dhe familjare gjatë vizitave në paraburgim, kohën në dispozicion të mbrojtjes dhe barazinë e palëve. Ajo kërkoi gjithashtu të qartësohet nëse mbrojtjes i është ofruar qasje e plotë në informacionet mbi origjinën dhe besueshmërinë e materialeve, veçanërisht të atyre të ardhura nga Serbia.

“Për PDK-në, drejtësia për krerët e UÇK-së mbetet një përgjegjësi e përhershme. Kjo përgjegjësi kërkon punë të organizuar, argumente profesionale dhe angazhim shtetëror të vazhdueshëm”, tha ajo.

Ajo theksoi se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi kanë të drejtë në respektimin e plotë të garancive procedurale, ndërsa familjet e tyre kanë të drejtë të presin që institucionet e Kosovës ta përmbushin detyrën me seriozitet dhe vendosmëri.

Reklamë

Në emër të PDK-së, Deliu-Kodra kërkoi që shqetësimet e dokumentuara t’u adresohen zyrtarisht Këshillit të Evropës, Bashkimit Evropian dhe partnerëve ndërkombëtarë, me kërkesë për vlerësim të pavarur dhe respektim të standardeve të të drejtave të njeriut.

“Parimi i parë dhe themelor i ndërtimit të demokracisë në një vend është llogaridhënia”, u shpreh ajo, duke shtuar se edhe Dhomat e Specializuara duhet t’i respektojnë parimet demokratike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës.