Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka kritikuar ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, për menaxhimin e sektorit të shëndetësisë, duke përmendur rastin e një gruaje që vdiq nga kanceri, pasi për rreth katër muajt e fundit kishte mbetur pa terapinë Palbociclib, për shkak të mungesës së saj në Klinikën e Onkologjisë.
Gjatë fjalimit në Kuvend, Ymeri ka thënë se trajtimi me këtë terapi mund të kishte ngadalësuar përparimin e sëmundjes, ndërsa ka kritikuar institucionet për mungesën e barnave.
“Ka pas me u ngadalësu përparimi sëmundjes e në mungesë të hapit nuk është bërë…. Ministër…nuk e di qysh flen natën kur dikush në gjoks e ka kancerin e ju e rregulloni mindilin”, ka deklaruar Ymeri.
Deputetja e LDK-së ka përmendur gjithashtu rritjen e rasteve të reja me tumore, duke ia atribuar përgjegjësinë për gjendjen në shëndetësi edhe ministrit Vitia.
“Mbi 42 për qind janë rritë rastet e reja me tumor… Krejt kjo ka ndodhë shumicën e kohës që keni qenë ju. Me këtë plan efikas nuk kish mujt me kanë as plani i armikut për zhdukjen e këtij populli”, ka thënë ajo në Kuvend.