Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia e quajti “të pasaktë dhe tendencioz” lajmin për vdekjen nga kanceri të një gruaje e cila për rreth 4 muaj kishte mbetur pa Palbociclib, një bar që mungonte në Klinikën e Onkologjisë në QKUK.
Vitia tha në Kuvend se shkaku i vdekjes nuk mund të përcaktohet aq shpejt.
“Për shkakun e vdekjes nevojitet autopsia dhe shumë procedura tjera për të qenë i qartë. Nuk mundet as mjeku me e konstatu shkakun e vdekjes në raste të tilla. Duhet një sërë procedurash për të dalë me konstatime”, tha ai.
Ministri tha se janë shtuar “një numër barnash në listën e barnave esenciale, përfshirë Palbociclibin”, por pranon se “herë pas here” ka pasur mungesa të barnave në Klinikën Onkologjike.
“Natyrisht se ka pasur implikime të dyfishta buxhetore dhe është e vërtetë se herë pas here edhe mungesë të këtyre barnave”, tha Vitia.