Ish-Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka kërkuar dorëheqjen e të gjithë kryesisë së partisë, pas zhvillimeve lidhur me Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Përmes një reagimi, Haxhiu ka kërkuar që dorëheqjet të jepen sonte, deri në orën 24:00, ndërsa ka bërë thirrje që Këshilli Drejtues i PDK-së të mblidhet brenda 48 orëve për të caktuar një kryesi të përkohshme.
Sipas tij, kjo kryesi duhet të ketë mandat të qartë për ta udhëhequr partinë deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
“Krejt kryesia e PDK-së duhet të japë dorëheqje sonte, deri në orën 24:00. Këshilli Drejtues duhet të mblidhet brenda 48 orëve dhe të caktojë një kryesi të provizore, me mandat të qartë për ta udhëhequr partinë deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Me UÇK-në, me fatin e krerëve të UÇK-së dhe me të ardhmen e Kosovës nuk mund të luhet për interesa politike, këtu nuk e tolerojmë askënd. Këto janë çështje që prekin themelet e lirisë, sakrificën e popullit tonë dhe dinjitetin e shtetit tonë. Kërkesa është e qartë, dorëheqje sonte, mbledhje e Këshillit Drejtues brenda 48 orëve. Është koha për përgjegjësi dhe vendime konkrete. Me UÇK-në, me çlirimtarët. UÇK-ja është krenaria jonë. Drejtësi dhe liri për çlirimtarët”, ka shkruar Haxhiu.
Reagimi i Haxhiut vjen pak pasi Presidentja Shiroka Pula ia ka kthyer Kuvendit të Kosovës ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale. Krejt kjo me kërkesë të vetë PDK-së, e cila edhe e kishte iniciuar këtë ligj.
“Gjatë ditës së sotme, Presidentja ka pranuar propozimin zyrtar të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, si sponsorizues i ligjit, për t’i dhënë Kuvendit mundësinë e rishqyrtimit të tij, veçanërisht të dispozitave që ndërlidhen me juridiksionin dhe mandatin e Dhomave të Specializuara, si dhe me garantimin e plotë të të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen pranë këtyre Dhomave“, ka njoftuar Presidenca.