Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Sala Jashari, ka protokolluar kërkesën për interpelancë ndaj ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me mungesën e barnave në Klinikën e Onkologjisë.

Kërkesa vjen pas raportimeve për vdekjen e një pacienteje me kancer të avancuar të gjirit, e cila, sipas organizatës për pacientët me kancer “Renesansa”, kishte mbetur për rreth katër muaj pa terapinë Palbociclib, për shkak të mungesës së barit dhe pamundësisë për ta blerë vetë.

Sipas organizatës, gjatë kësaj periudhe pacientes i ishin shfaqur metastaza të reja në tru, ndërsa më pas ajo kishte vdekur.

Reklamë

Palbociclibi, që përdoret në trajtimin e kancerit të avancuar të gjirit, është pjesë e Listës Esenciale të Barnave, por çmimi i tij në rastet kur pacientët detyrohen ta blejnë vetë mund të arrijë deri në 1 mijë e 800 euro.

Ndërkohë, mungesa e barnave në Klinikën e Onkologjisë nuk është kufizuar vetëm te ky medikament. Edhe barna të tjera, përfshirë Avastinën, Pembrolizumabin dhe Dabrafenibin, kanë munguar për periudha të ndryshme, duke i detyruar pacientët t’i sigurojnë me shpenzimet e tyre.

Sipas procedurave parlamentare, kërkesa e dorëzuar te kryetarja e Kuvendit do t’u përcillet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë. Pas kthimit të saj në Kuvend, Kryesia do të vendosë për datën e mbajtjes së interpelancës.