Policia ukrainase njoftoi të premten se ka ndaluar një vajzë 17-vjeçare, e dyshuar se ka ndihmuar shërbimet ruse të sigurisë në helmimin e ushtarëve ukrainas – një veprim që çoi në vdekjen e dy ushtarëve.

Që nga fillimi i luftës në vitin 2022, Ukraina dhe Rusia e kanë akuzuar njëra-tjetrën për rekrutimin e të miturve për të kryer akte sabotimi, përfshirë helmimet.

Sipas një deklarate të policisë, vajza – emri i së cilës nuk është bërë i ditur – dyshohet se ka paketuar substanca vdekjeprurëse dhe ua ka dërguar ato ushtarëve ukrainas, me të cilët kishte vendosur kontakte përmes aplikacionit Telegram.
Policia e arrestoi atë në Zhytomyr, në perëndim të Kievit, pasi ajo dyshohet se ka ndjekur udhëzimet e një mbikëqyrësi rus, në këmbim të të paktën 5.000 hrivnjave (111 dollarë amerikanë).

Reklamë

Në deklaratë thuhet se, pasi i kanë marrë pakot – të etiketuara si “ilaçe falas” – ushtarët janë udhëzuar që t’i konsumojnë ato ndërsa filmoheshin.

“Personat që i morën pakot nuk ishin në dijeni se kapsulat përmbanin një dozë vdekjeprurëse metadoni”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se “dy ushtarë vdiqën nga helmimi në rajonin e Zhytomyrit”.

Policia identifikoi gjithashtu marrës të tjerë të pakove, duke “parandaluar kështu katër vrasje të tjera” në mbarë vendin. “Vajzës i është bërë e ditur se ajo dyshohet për ndihmë në kryerjen e vrasjes me dashje të dy personave, si pjesë e një marrëveshjeje të mëparshme”, thuhet në deklaratën e policisë.

Ajo dyshohet gjithashtu për “dërgimin e drogave dhe substancave psikotrope për shpërndarje”, dhe nëse shpallet fajtore, përballet me një dënim deri në 15 vjet burgim.

Policia paralajmëroi se qëllimi i Rusisë është “të vrasë njerëzit tanë dhe të destabilizojë situatën brenda vendit”.

Reklamë

“Mos pranoni ilaçe apo substanca të tjera, si dhe ushqime apo pije me origjinë të dyshimtë, nga persona që nuk i njihni mirë”, paralajmëroi policia.

Që nga fillimi i pushtimit rus në shkallë të gjerë në shkurt të vitit 2022, autoritetet ukrainase kanë nisur mijëra hetime për bashkëpunim me armikun, duke arrestuar shpesh individë të akuzuar se punojnë për Moskën, raporton AFP.