Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar se mungesa e komunikimit të drejtpërdrejtë dhe strategjik me nivelet më të larta të administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, përbën rrezik serioz për sigurinë kombëtare dhe interesat strategjike të Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka paralajmëruar se kjo situatë i krijon hapësirë më të madhe Serbisë për të përhapur, siç i cilësoi ajo, narrativa të rreme kundër Kosovës.

Sipas Osmanit, marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk duhet të trajtohet si çështje protokolli, por si një çështje thelbësore e sigurisë kombëtare.

Reklamë

Ajo ka theksuar se komunikimi i drejtpërdrejtë me presidentin Trump, sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, dhe kabinetin politik të presidentit amerikan është i rëndësishëm për mbrojtjen e interesave të Kosovës.

Osmani ka nënvizuar se pa një partneritet të fortë politik me SHBA-në, Kosova rrezikon të mos i mbrojë me sigurinë e duhur interesat e saj në procesin e integrimit euroatlantik, në ruajtjen e së vërtetës historike për luftën çlirimtare, si dhe në mbrojtjen e sovranitetit dhe shtetësisë.

“Kosova nuk mund ta trajtojë si çështje dytësore marrëdhënien me aleatin e saj jetik”, ka shkruar Osmani.