Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetues, Enver Hasani, ka vlerësuar se Kuvendi i Kosovës nuk mund të ndryshojë asnjë dispozitë të një ligji që Presidentja e ka kthyer për rishqyrtim.
Ai ka bërë me dije ligji duhet të votohet në tekstin në të cilin është miratuar fillimisht.
Në një intervistë për “Paparacin”, Hasani ka vlerësuar e Kuvendi asnjë presje nuk mund t’ia shtojë apo t’ia hiqet tekstit të ligjit të miratuar më parë.
“Në rastin e një ligji të kthyer nga Presidenti i Republikës për rishqyrtim në Kuvend, nuk mund të ndryshohet asnjë dispozitë e tij. Asnjë presje nuk mund t’i shtohet apo t’i hiqet tekstit të ligjit të miratuar më parë. Për këtë çështje ekziston një standard kushtetues i vendosur nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës në rastin e vetos së ish-Presidentes Atifete Jahjaga, lidhur me Ligjin për Pensionet e Pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kam qenë Kryetar i Gjykatës Kushtetuese kur është vendosur ai rast dhe e njoh mirë arsyetimin juridik të tij”, ka thënë ai, duke bërë dallimin në mes të iniciativës legjislative dhe vetos presidenciale.
“Gjykata ka bërë dallimin ndërmjet iniciativës legjislative dhe vetos presidenciale. Fakti që Presidenti i Republikës gëzon të drejtën e iniciativës legjislative nuk nënkupton se këtë kompetencë mund ta ushtrojë përmes vetos. Vetoja presidenciale është instrument i kontrollit kushtetues mbi ligjet e miratuara nga Kuvendi, dhe jo mjet për ndryshimin apo plotësimin e përmbajtjes së tyre. Ajo ushtrohet kur Presidenti konsideron se ligji cenon interesat legjitime të Republikës së Kosovës ose të një apo më shumë komuniteteve të saj. Prandaj, kur një ligj kthehet nga Presidenti, Kuvendi nuk zhvillon një procedurë të re legjislative për ta ndryshuar apo plotësuar atë. Në procedurën e rishqyrtimit, Kuvendi vendos nëse do ta miratojë sërish ligjin në tekstin në të cilin është miratuar fillimisht”, ka deklaruar ai.
Ai ka treguar procedurën se si do të adresohet tash e tutje ky ligj.
“Në këtë procedurë votohet raporti përkatës i Komisionit për Legjislacion, ndërsa për miratimin e ligjit të kthyer kërkohet shumica e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përkatësisht të paktën 61 vota, sipas nenit 80, paragrafi 4, të Kushtetutës. Nëse sigurohen 61 vota, vetoja presidenciale tejkalohet dhe ligji konsiderohet i shpallur. Nëse nuk sigurohen 61 vota, ligji nuk miratohet dhe procedura përfundon pa ligj”, ka deklaruar ai, duke dhënë detaje tjera.
“Nëse Kuvendi dëshiron ta ndryshojë përmbajtjen e ligjit, këtë mund ta bëjë përmes një procedure të re legjislative, por jo duke ndërhyrë në tekstin e ligjit të kthyer nga Presidenti. Ky është dallimi themelor kushtetues ndërmjet rishqyrtimit të ligjit pas vetos presidenciale dhe ushtrimit të zakonshëm të funksionit legjislativ të Kuvendit”, është shprehur ai.