Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka prezantuar paketën e re ligjore kundër dhunës dhe anarkisë urbane, e cila parashikon dëmshpërblimin e bizneseve të dëmtuara dhe gjoba deri në 500 mijë lekë për personat që qëndrojnë në turma ku ushtrohet dhunë, duke qenë në dijeni të saj.
Prezantimi vjen një ditë pas protestës së të shtunës në Tiranë, e cila u shoqërua me përplasje të dhunshme, sulme me molotovë ndaj institucioneve dhe dëmtime të pronës publike e private.
Rama akuzoi Partinë Demokratike se ishte vënë në krye të dhunës së ushtruar gjatë protestës, ndërsa pretendoi se selia e saj ishte përdorur si strehim dhe pikë furnizimi me lëndë plasëse.
“Pas një tjetër vale dhune mbrëmë në qendër të Tiranës, ku PD doli nga prapavija në ballë të ushtrimit të dhunës urbane dhe godina e saj u kthye në strehim politik dhe në pikë furnizimi me lëndë plasëse të dhunuesve të mbledhur mbrëmë nga të katër anët dhe katër burimet e kësaj flame antidemokratike”, tha Rama.
Një nga masat e prezantuara është dëmshpërblimi i bizneseve të prekura nga dhuna. Përmes një akti normativ, bizneset e vogla do të dëmshpërblehen në masën 100% të dëmit, ndërsa bizneset e mëdha në masën 70%.
Kryeministri prezantoi edhe ligjin për riparimin e dëmeve, sipas parimit “Kush thyen, paguan”, duke theksuar se përgjegjësia financiare për dëmet e shkaktuara do të bjerë mbi autorët dhe jo mbi taksapaguesit.
Sipas masave të prezantuara, kush qëndron në një turmë duke e ditur se përreth po ushtrohet dhunë dhe po shkatërrohet prona, mund të gjobitet deri në 500 mijë lekë. Nga kjo masë përjashtohen gazetarët, mjekët, vëzhguesit, nëpunësit në detyrë dhe kalimtarët.
Për të miturit, përgjegjësia për pagesën e gjobave dhe mbulimin e dëmeve do t’u kalojë prindërve ose kujdestarëve.
Rama theksoi se ligji do të zbatohet për të gjitha tubimet, përfshirë edhe grumbullimet sportive ku shkaktohen dëme materiale në pronën publike apo private. Sipas tij, askush nuk do të ndëshkohet vetëm pse ka marrë pjesë në një protestë, ndërsa masat do të varen nga sjellja e secilit person.
Kryeministri tha gjithashtu se ligji nuk kufizon lirinë e tubimit dhe të shprehjes.