Ministri për Komunitete dhe Kthim në Kosovë, Nenad Rashiq, e ka mirëpritur fitoren e Listës së Studentëve në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi, të mbajtura të dielën, duke thënë se hapi i radhës duhet të jetë largimi i Listës Serbe nga politika.

Në një deklaratë për Koha, Rashiq e ka cilësuar Listën Serbe si mjet të ish-presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, duke thënë se ajo ka vepruar sipas urdhrave që kanë ardhur nga Beogradi dhe Kopauniku.

“Deri më tani, ata (Lista Serbe, v.j.) kanë punuar dhe kanë vepruar ekskluzivisht sipas urdhrave të cilët kanë ardhur qoftë nga Beogradi, qoftë nga Kopauniku. Por, më së paku çka do të mund të presim, ose unë e kisha pasur dëshirë që ta shoh njëherë në karrierën e tyre politike, që nga aspekti moral ta bëjnë një veprim i cili do të ishte, sipas meje, largimi nga politika. Kështu unë besoj që është normale, por nuk kisha thënë që ata e kanë një nivel të ndërgjegjes morale, që ta ofrojnë dorëheqjen”, ka thënë Rashiq.

Reklamë

Rezultati i zgjedhjeve të së dielës shënon një humbje të rëndësishme për partinë SNS të Vuçiqit, pas 12 vjetësh në pushtet. Lista e Studentëve ka dalë e para, duke siguruar më shumë se gjysmën e votave, sipas projeksioneve të publikuara deri më tani.

Numërimi i votave në Serbi ende nuk ka përfunduar. Megjithatë, sipas projeksioneve të CRTA-s, organizatë që monitoron zgjedhjet, Lista e Studentëve ka marrë 52.45 për qind të votave, ndërsa SNS-ja e Vuçiqit 39.2 për qind.

Rashiq e ka cilësuar rezultatin si fundin e një diktature që, sipas tij, ishte instaluar për më shumë se një dekadë. Ai ka shprehur pritjen që pushteti i ri të kontribuojë në normalizimin e shoqërisë serbe dhe në krijimin e marrëdhënieve më të mira me vendet e tjera të rajonit.

“Një fitore e madhe do të thosha. Së pari, po pres që të normalizohet mbi të gjitha shoqëria e Serbisë, dhe pastaj të vazhdohet me një prezantim politik më të pjekur, më të moderuar dhe, në fund, më paqësor sesa kemi pasur deri më tani. Nuk pres që establishmenti i ri, qoftë në qeveri, qoftë në shoqërinë e Serbisë, të jetë në mënyrë kaq të mbrapshtë sikur që e kemi pasur deri më tani. Prandaj, besoj që rruga për demokraci po hapet, duke përfshirë edhe mundësinë e bashkëpunimit më të mirë mes popujve në Ballkan”, ka thënë Rashiq.

Sipas të dhënave të CRTA-s, asnjë parti tjetër serbe nuk pritet ta kalojë pragun zgjedhor prej tre për qind. Në mesin e tyre është edhe Partia Socialiste e Serbisë (SPS), e udhëhequr nga Ivica Daçiq, e cila, sipas projeksioneve, ka marrë pak më shumë se dy për qind të votave.

Reklamë

Ndërkaq, koalicioni shqiptar ka siguruar dy ulëse në parlamentin e Serbisë.