Arlinda Zekaj, gruaja që dyshohet se u vra nga kunati i saj në Vitomiricë të Pejës më 25.10.2026, disa orë para vrasjes së saj, kishte paraqitur një rast të dhunës në familje në Stacionin Policor në Pejë.

Zekaj në Polici kishte deklaruar se si ishte kërcënuar me jetë nga bashkëshorti i saj Jeton Syla.

“Unë, me të dhënat e mia më lart, pasi m’u kanë lexuar të drejtat e mia të përcaktuara me ligj, dua të deklaroj: Se më datë 25/10/2026, diku rreth orës 17:58, pasi unë kam dalë nga banjo dhe e kam pritur lavatriçen që t’i përfundojë rrobat e anëtarëve të Jetonit dhe pasi përfundoi lavatriçja, unë i kam futur rrobat e mia që të pastrohen. E kam lëshuar lavatriçen dhe shkova në kuzhinë për të ngrënë bukë.”- kishte thënë e ndjera.

E ndjera tutje, kishte deklaruar se në atë moment bashkëshorti i saj kishte filluar të bërtiste dhe ta kërcënonte me fjalët: “Unë të thyej, të mbys, çka lyp ti në shtëpinë time? Ti nuk guxon më kështu të veprosh, kush je ti?”

Viktima po ashtu kishte thënë se bashkëshorti i saj ia kishte marrë rrobat dhe i kishte hedhur në oborrin e shtëpisë.

Nga këto kërcënime ajo ishte ndier e frikësuar dhe e kishte njoftuar menjëherë Policinë.

Reklamë

E ndjera në deklarimin e saj në Polici kishte shprehur pakënaqësi edhe për organet e rendit, për mosndërmarrjen e veprimeve nga ana e tyre.

“Po, dua ta pyes Policinë: “A duhet të më vrasë mua Jetoni që ju, Policia, atëherë ta arrestoni shizofrenin?”.”- kishte deklaruar në Polici viktima në ditën që u vra.

E pyetur se nga zyrtarët policorë se nëse dëshiron të shkon në strehimore pas dhënies së deklaratës, viktima kishte thënë së nuk dëshiron të largohet nga shtëpia e saj.

“Jo, unë nuk pranoj të shkoj në strehimore. Unë dua të shkoj në shtëpinë time.”- kishte thënë e ndjera.

Reklamë

Ndonëse viktima kishte thënë se dëshiron të shkon në shtëpi ku të pranishëm ishin edhe familjarët e bashkëshortit të saj, ajo kishte thënë se nuk ndihet mjaftueshëm e sigurtë por që nuk heq dorë nga djali i saj dhe pasuria e saj.

“Nuk e ndiej veten të sigurt sa duhet, por nuk heq dorë nga djali dhe pasuria ime. Shteti ka pasur obligim dhe ka për t’i larguar uzurpatorët nga shtëpia ime.”- kishte deklaruar e ndjera.

Policia e Kosovës e ka shpallur në kërkim Albert Sylajn, si të dyshuar për vrasjen e Arlinda Zekajt, mbrëmë në Vitomiricë të Pejës.

Sylaj është kunati i Arlinda Zekajt.

Reklamë

Vrasja e Arlinda Zekajt ka ngjallur shumë reagime. Presidentja e vendit, Justina Shiroka-Pula, kërkoi të hetohet rasti në detaje, ndërsa hetim kërkoi edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.

Arlinda Zekaj dyshohet se u vra mbrëmë, më 25.10.2026, në fshatin Vitomiricë të Pejës nga kunati i saj. Në një reagim, Policia e Kosovës tregoi se viktima rreth orës 19:00 kishte raportuar një rast për dhunë në familje.

Sipas forcave të rendit, bashkëshorti i saj ishte ndaluar për 48 orë, ndërsa policia deklaroi se me vullnetin e saj, viktima ishte dërguar në shtëpinë e saj në fshatin Vitomiricë.

Vetëm disa orë më vonë, policia ishte njoftuar për vdekjen e Arlinda Zekajt.

Reklamë

“Sot, rreth orës 19:00, Stacioni Policor në Pejë është njoftuar për një rast të dhunës në familje, i cili ka ndodhur në fshatin Vitomiricë, në Pejë. Viktima është shoqëruar në stacionin policor, ku është intervistuar” – thuhet në reagimin e Policisë së Kosovës.

“Po ashtu, është arrestuar dhe intervistuar edhe personi i dyshuar (bashkëshorti i viktimës), i cili është ndalur në mbajtje për 48. Viktima, me vullnetin e saj, është dërguar në shtëpinë e saj në fshatin Vitomiricë. Rreth orës 21:10, jemi njoftuar se e njëjta është gjetur pa shenja jete” – thuhet në njoftim.

Por, pretendimet e policisë i ka kundërshtuar avokatja e Arlinda Zekajt, Adelina Hoxha. Ajo tha se kthimi i viktimës në shtëpinë e saj ishte pa vullnetin e së ndjerës.

“Nuk e di a duhet policia me pas kujdes kur jep prononcime ‘a me i arsyetu patjetër zyrtarët e vet!!!! Nuk ka qenë vullneti i viktimës!!! Kryeprokurorisë së Shtetit do t’i dorëzohen të gjitha. Së paku kontrollone deklaratën e viktimës në polici gjysë ore para se mu vra… e shumë tjera” – deklaroi avokatja Adelina Hoxha.

Arlinda Zekaj pretendohet se e kishte dorëzuar një letër tre ditë para vrasjes së saj në Prokurori Themelore të Pejës.

Në letrën që tashmë po qarkullon në rrjete sociale, Zekaj i ishte drejtuar kryeprokurores së Pejës, Lumturije Vuçetaj, duke i kërkuar urgjentisht marrjen e masave ndaj zyrtarëve që sipas saj kishin dështuar rëndë në përmbushjen e detyrave.

“Kërkoj urgjentisht marrjen e masave ndaj të gjithë zyrtarëve që kanë dështuar rëndë në përmbushjen e detyrave të tyre, duke bartur përgjegjësitë te njëri-tjetri, e kështu duke lejuar që pasojat dhe rreziku për jetën time të vazhdojnë. Kërkoj ekzekutimin e menjëhershëm të urdhërit gjyqësor dhe hapjen e hetimeve ndaj të gjithë zyrtarëve të përfshirë, duke filluar nga QPS-ja [Qendra për Punë Sociale].” – kishte shkruar në letër Zekaj, më 22.10.2026.