Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka kërkuar përgjegjësi dhe llogaridhënie institucionale për vrasjen e Arlinda Sylaj Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke theksuar se viktima kishte paralajmëruar institucionet për rrezikun që i kanosej.
Gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës të thirrur pas vrasjes së Arlindës dhe për trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave dhe fëmijëve, Nagavci ka bërë të ditur se më 22 tetor, pak ditë para se të vritej, ajo i ishte drejtuar me një letër urgjente Prokurorisë Themelore në Pejë, duke kërkuar veprime të menjëhershme, ekzekutimin e një urdhri gjyqësor dhe hetimin e zyrtarëve që, sipas saj, kishin dështuar në përmbushjen e detyrave.
Nagavci ka thënë se paralajmërimi i viktimës e bën edhe më të rëndë rastin, duke kërkuar përgjigje konkrete se çfarë ndodhi me letrën dhe nëse institucionet ndërmorën veprimet e nevojshme për ta mbrojtur atë.
“Është një tragjedi që kërkon drejtësi, përgjegjësi dhe llogaridhënie institucionale. Sot nuk jemi këtu vetëm për të dënuar një krim të rëndë; jemi këtu për të kërkuar përgjigje nga institucionet që kanë pasur përgjegjësi ligjore të veprojnë për mbrojtjen e saj. Sepse kjo grua kishte kërkuar ndihmë, kishte paralajmëruar rrezikun, kishte besuar se institucionet e Republikës së Kosovës do ta dëgjonin dhe do të vepronin. Më 22 tetor, vetëm pak ditë para se të vritej, ajo ishte drejtuar me një letër urgjente Prokurorisë Themelore në Pejë, duke kërkuar veprime të menjëhershme, ekzekutim në një urdhër gjyqësor dhe hetimin e zyrtarëve që, sipas saj, kishin dështuar në përmbushjen e detyrave të tyre. Në fund të asaj letre gjendet një fjali që sot na rëndon në ndërgjegjen e secilit prej nesh: ‘Veçanërisht atyre që kanë përgjegjësi për zbatimin e ligjit.’ Ajo shkruante: ‘Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime. Sa e dhimbshme dhe tronditëse është që sot po diskutojmë pikërisht për atë që ajo kishte paralajmëruar”, tha ajo.
Nagavci ka ngritur disa pyetje për veprimet e Prokurorisë dhe zbatimin e urdhrit gjyqësor, duke theksuar se institucionet duhet të japin llogari për mënyrën se si e kanë trajtuar rastin.
“Prandaj, sot kemi edhe të drejtë, edhe detyrim të pyesim: çfarë ndodhi me letrën e saj? Kush e shqyrtoi? Çfarë veprimesh ndërmori prokuroria? A u vlerësua seriozisht rreziku që ajo kishte paralajmëruar? A u ekzekutua urdhri gjyqësor që ajo përmendte? Dhe, nëse jo, kush ishte përgjegjës për moszbatimin e tij? Këto pyetje kërkojnë përgjigje konkrete dhe jo arsyetime të përgjithshme. Të nderuar deputetë, prokuroria nuk mund të jetë vetëm institucion që vepron pasi një krim të ketë ndodhur. Ajo ka përgjegjësi të veprojë me urgjencë kur ekzistojnë paralajmërime konkrete për rrezikun ndaj jetës. Po kështu, gjykata duhet t’i trajtojë rastet e dhunës ndaj grave me seriozitetin që e kërkojnë rrethanat. Vendimet gjyqësore nuk mund të mbeten vetëm në letër; ato duhet të zbatohen dhe institucionet përgjegjëse duhet të sigurojnë që masat mbrojtëse të jenë efektive. Çfarë kuptimi ka një urdhër gjyqësor nëse ai nuk zbatohet?”, shtoi Nagavci.
Ajo potencoi se do të formohet komision hetimor parlamentar jo që të zëvendësojë hetimin, por të hetojë secilën hallkë që ka dështuar në këtë rast.