Gjykata ia ka vazhduar edhe për dy muaj masën e paraburgimit të pandehurit A.S. për vrasjen e një 37-vjeçari dhe plagosjen e një personi tjetër me thikë në Lagjen e Romëve në Mitrovicë.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Mitrovice, Hateme Haxhaj, ka konfirmuar se paraburgimi është vazhduar për dy muaj të tjerë.

“Paraburgimi, të pandehurit A.S., i llogaritet prej datës 25.10.2026 deri më datë 25.12.2026”, ka thënë Haxhaj

Reklamë

Ngjarja kishte ndodhur më 27 maj, kur policia kishte pranuar informatën nga Spitali Rajonal i Mitrovicës së Jugut se aty ishte dërguar një person me lëndime të rënda të shkaktuara nga thika.

Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 37-vjeçari kishte vdekur si pasojë e plagëve. Nga i njëjti sulm ishte plagosur edhe një person tjetër, i cili, pas trajtimit fillestar në Mitrovicë, ishte transferuar për trajtim të mëtejshëm në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës në Prishtinë.

Sipas informatave të atëhershme, gjendja e tij shëndetësore ishte jashtë rrezikut për jetën.

Pas ngjarjes, policia kishte arrestuar A.S i dyshuar, ndërsa si provë materiale ishte sekuestruar edhe thika me të cilën dyshohet se ishte kryer sulmi