Prokuroria Themelore në Pejë kishte ngritur aktakuzë për kanosje ndaj Jeton Sylajt, ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt, më 23 tetor 2026, tri ditë para se ajo të vritej nga i dyshuari Albert Sylaj, kunati i viktimës.
Kallxo.com ka publikuar aktakuzën, në të cilën janë përshkruar deklarimet e Arlinda Zekajt, të dhëna gjatë muajit korrik 2026 në Stacionin Policor në Pejë.
Gjatë deklarimit para hetuesve policorë, tashmë e ndjera kishte treguar se ish-bashkëshorti i saj posedonte armë zjarri me leje. Ajo kishte deklaruar gjithashtu se, gjatë kohës sa kishin jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kishte denoncuar atë për dhunë psikike.
Në deklaratat e saj, Arlinda Zekaj kishte përshkruar në detaje kërcënimet që, sipas saj, i kishte bërë ish-bashkëshorti. Ajo kishte thënë se kërcënimet nga Jeton Sylaj ishin të vazhdueshme.
“Kam me të mbytë, kam me të ngreh zhag, as ushtria s’ka me mujtë me të hjekë nga dora ime, kur**, kud**, rrugaçe, ki me flejt në sokak, s’ki me pa më djalin nëse jam gjallë unë” – citohet të ketë deklaruar Arlinda Zekaj në Polici më 10 korrik 2026.
Siç përshkruhet në aktakuzë, çifti kishte jetuar për një kohë të gjatë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vitin 2024, Arlinda Zekaj ishte kthyer në Kosovë së bashku me djalin e saj, ku kishin ndërtuar një shtëpi. Ndërkaq, sipas deklarimeve të përfshira në aktakuzë, ish-bashkëshorti i saj kishte udhëtuar shpesh në relacionin Kosovë–Amerikë.
“Me Jetonin kemi jetuar rreth 11 vite në shtetin e Amerikës, dua të deklarohem se deri sa kam jetuar në Amerikë, Jetoni ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj meje, me çka e kam raportuar në Amerikë dhunë familjare” – citohet të ketë deklaruar Arlinda Zekaj para policisë.
Ajo kishte rrëfyer para hetuesve edhe për kërcënimet që, sipas saj, i merrte nga ish-bashkëshorti përmes telefonit. Sipas deklarimit të saj, ai i kishte kërkuar që të largohej nga shtëpia.
“Jetoni më ka detyruar që unë të hyj në kredi dhe unë kam marrë kredi 9 mijë euro dhe që dy vite që jemi duke jetuar Jetoni ushtronte dhunë psikike. Tutje deklaroj se në muajin dhjetor 2025, Jetoni më ka telefonuar dhe më ka thënë dil nga shtëpia se ti s’ki çka lypë aty. Ndërsa unë i kam thënë se ne e kemi ndërtuar shtëpinë së bashku ndërsa Jetoni më ka kërcënuar me fjalët ‘kam me të mbytë, kam me të ngre zhag, as ushtria s’ka me mujtë me të hjekë nga dora ime’” – deklaronte Arlinda Zekaj.
Gjatë deklarimit në polici, Arlinda Zekaj kishte shprehur edhe frikën për sigurinë e saj, duke thënë se ndihej e rrezikuar nga ish-bashkëshorti.
“Po, Jetoni posedon armë zjarri me leje. Jo, asnjëherë nuk më ka kërcënuar me armë, nuk e di ku ndodhet arma. Po, shumë e ndjej veten të rrezikuar nga Jetoni” – citohet të ketë deklaruar Arlinda Zekaj në polici.
Arlinda Zekaj dyshohet se u vra mbrëmjen e 25 tetorit 2026 në Vitomiricë të Pejës. Për vrasjen dyshohet kunati i saj, Albert Sylaj, i cili ndodhet ende në arrati dhe është shpallur në kërkim nga Policia.