Qytetarë dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile janë mbledhur në Sheshin e Qytetit në Pejë, ku kanë ndezur qirinj në kujtim të Arlinda Zekajt, e cila u vra të dielën në Vitomiricë të Pejës.
Aktiviteti është organizuar nga organizata “Syri i Vizionit”, në bashkëpunim me organizata të tjera të shoqërisë civile, në shenjë dhimbjeje dhe solidariteti me viktimën dhe familjen e saj.
Përmes këtij organizimi, pjesëmarrësit kanë kërkuar drejtësi për Arlindën, përgjegjësi institucionale dhe masa konkrete për garantimin e sigurisë dhe mbrojtjes së grave.
“Asnjë grua më pak! Drejtësi për Arlindën! Siguri dhe mbrojtje për çdo grua!”, ishte mesazhi i organizatorëve.
Pranë fotografisë së Arlindës dhe qirinjve të ndezur ishte vendosur edhe mbishkrimi “DERI KUR?!”, përmes të cilit u përcoll thirrja për më shumë përgjegjësi institucionale dhe veprime konkrete kundër dhunës ndaj grave.
Pjesëmarrësit përmes këtij aktiviteti kanë shprehur solidaritet me familjen e Arlindës, duke rikthyer në vëmendje kërkesën për drejtësi dhe mbrojtje për çdo grua. /RTK