Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arian Tahiri, ka kërkuar dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, të dielën.
Gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, Tahiri tha se tragjedia duhet të shërbejë si moment reflektimi dhe përgjegjësie institucionale, duke vlerësuar se Gërvalla duhet të japë dorëheqje si akt moral.
Ai kritikoi zhvillimin e debatit në Kuvend, duke thënë se diskutimet për rolin e gruas në shoqëri dhe për punën e institucioneve nuk duhet ta zbehin përgjegjësinë që duhet të mbahet pas një tragjedie të tillë.
“Kuvendi sot më shumë po duket sikur një sallë seminari, ku kryeministri Kurti po flet për rolin e gruas në shoqëri, e znj. Gërvalla po moralizon e po tregon për punën që ka bërë… Znj. Gërvalla sot minimumi i minimumit duhet të mbajë përgjegjësi morale… duhej të jepte dorëheqje”, tha Tahiri në seancën e Kuvendit.
Ai kërkoi që dorëheqja e ministres të shoqërohet me miratimin e një rezolute nga Kuvendi.
“Sot duhet Gërvalla të japë dorëheqje e bashkërisht të miratohet rezoluta në seancë e të heshtet”, deklaroi Tahiri.
Deputeti i PDK-së tha se situata aktuale duhet t’i bëjë të gjithë të reflektojnë për gjendjen morale dhe shoqërore në vend.
“Të ndihemi të turpëruar për degradimin e vazhdueshëm moral e social që po ndodh”, u shpreh ai.
Dorëheqjen e Gërvallës e kërkuan edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, si dhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Albana Bytyqi.
Arlinda Zekaj u vra të dielën në Vitomiricë të Pejës. Rasti ka nxitur reagime dhe thirrje për përgjegjësi institucionale në mbrojtjen e grave nga dhuna.