Kryetari i Mitrovicës së Jugut dhe ish- ministri i Bujqësisë, Faton Peci, Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka thënë se Prokuroria Speciale ka pushuar hetimet ndaj tij lidhur çështjen e granteve, nën dyshimet për ‘’keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar’’.
Në një postim, Peci ka thënë se për dy vjet është përballur me, siç i ka cilësuar ai, linçime, baltosje dhe shpifje, të cilat i ka konsideruar sulme të orkestruara ndaj punës së tij.
“Dy vjet të randa linçimi, baltosje e shpifje të ulta e të mbushura helm kundër meje e kundër asaj çfarë përfaqësoj, morën përgjigjen e duhur, të ditur dhe të pritur”, ka shkruar Peci.
Ai ka pretenduar se Prokuroria Speciale ka folur qartë, pasi, sipas tij, nuk ka pasur arsye dhe dëshmi për të vepruar ndryshe dhe për të mos i mbyllur, siç i ka quajtur, insinuatat dhe sulmet ndaj punës së tij.
Peci ka paralajmëruar gjithashtu se do të ndërmarrë veprime ligjore ndaj zyrtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) që e kanë ngritur kallëzimin penal, si dhe ndaj personave të tjerë që, sipas tij, kanë bërë deklarata të pavërteta.
“Zyrtarët e LDK-së që e ngritën këtë kallëzim penal, por edhe të gjithë ata që hodhën gurin e fshehën dorën, do të përballen me kallëzim penal për deklarim të rrejshëm”, ka shkruar ai.
Në fund, Peci ka falënderuar qytetarët nga Kosova dhe mërgata që, sipas tij, i kanë besuar edhe gjatë asaj që e ka cilësuar si luftë speciale kundër tij.
Ai ka shtuar se asgjë nuk mund ta njollosë punën e tij, të cilën e ka cilësuar si të ndershme dhe në shërbim të qytetarëve dhe të Kosovës.