Ka shkuar në 39 numri i të vdekurve nga përplasja mes dy trenave të shpejtësisë së lartë në Spanjë.

Sipas raportimit të Sky News, në të dy trenat ndodheshin gjithsej rreth 400 pasagjerë. Aksidenti ndodhi në linjën hekurudhore që lidh Madridin me rajonin e Andaluzisë.

Përplasja u regjistrua pak pas orës 09:00 të së mërkurës, më 28 tetor, mes zonave Los Yébenes dhe Urda, në provincën e Toledos, në jug të Madridit.

Reklamë

Sipas gazetës spanjolle El País, bazuar në vlerësimet fillestare të qeverisë, fillimisht dyshohej se të paktën dhjetë persona kishin humbur jetën. Ekipet e shpëtimit mbërritën në vendngjarje, ndërsa dy vagonë dyshohet se dolën nga shinat dhe përfunduan në një shpat të thepisur.

Në aksident u përfshinë një tren AVE, i cili ishte nisur nga Madridi me destinacion Seviljen, dhe një tren i kompanisë Iryo, që udhëtonte në drejtimin e kundërt.

Kompania Adif, përgjegjëse për menaxhimin e infrastrukturës hekurudhore në Spanjë, njoftoi pezullimin e qarkullimit të trenave të shpejtësisë së lartë në linjën Madrid–Andaluzia.

“Qarkullimi në linjën me shpejtësi të lartë Madrid–Andaluzia është pezulluar pas përplasjes mes dy trenave”, njoftoi kompania përmes një mesazhi të publikuar në rrjetin social X.

Shkaqet dhe rrethanat e aksidentit mbeten ende të paqarta. Sipas analizave paraprake të El País, një nga pistat që po shqyrtohet është mundësia e një gabimi njerëzor, por kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Reklamë