Senati francez ka miratuar një projektligj që parashikon përgjegjësi financiare për protestuesit që kanë shkaktuar dëme gjatë demostratave të dhunshme.

Nisma u miratua me 229 vota pro dhe 105 kundër, mes shqetësimeve se mund të kufizojë të drejtën për të protestuar.

Sipas projektligjit, personat përgjegjës do të duhet të paguajnë deri në 10 mijë euro për dëmet.

Reklamë

Po ashtu parashikohet edhe mundësia e heqjes së ndihmës financiare apo të përfitimeve sociale për personat që kanë qenë pjesë e grupeve që kanë organizuar aktet e dhunës.

Ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, argumentoi se jo të gjithë qytetarët duhet të paguajnë për veprimet e një pakice që kanë kryer vandalizëm.

Nga ana tjetër, partitë e majta dhe organizatat për të drejtat e njeriut paralajmërojnë se këto masa mund të krijojnë hapësirë për veprime arbitrare të policisë, që do të thotë se ata mund të marrin masa pa prova të mjaftueshme ose pa respektuar siç duhet të drejtat e njerëzve.

Edhe Amnesty International i ka bërë thirrje qeverisë ta braktisë nismën, duke paralajmëruar pasoja të rënda sociale.

Pas miratimit në Senat, projektligji i kalon Asamblesë Kombëtare, ku do të diskutohet dhe votohet për hapat e mëtejshëm.

Reklamë