Katër punëtorë janë pranuar në repartin e ortopedisë në Spitalin Rajonal të Prizrenit, pasi janë lënduar në vendin e punës, ndërsa dy të tjerë janë liruar për në shtëpi.
Doktori Afrim Jahaj deklaroi se gjendja e përgjithshme e katër punëtorëve të pranuar në spital është stabile dhe se ata nuk janë në rrezik për jetë. Sipas tij, fillimisht gjashtë personat janë sjellë në këtë Qendër rreth orës 12:00, në shoqërim të Policisë së Kosovës.
“Prej këtyre gjashtë personave, gjatë ekzaminimeve të cilat janë bërë në emergjencë, katër janë pranuar në repartin e ortopedisë me lëndime, ndërsa dy janë lëshuar në shtëpi. Gjendja e përgjithshme e të pranuarve është stabile, kanë disa lëndime, por gjendja e tyre është stabile, nuk janë të rrezikuar për jetë”, ka thënë Jahaj.
Ai ka treguar se lëndimet kryesore janë fraktura të unazave në rajonin lumbosakral.
“Më shumë lëndimet janë të unazave të rajonit lumbosakral, domethënë janë fraktura të unazave”, ka deklaruar ai.
Jahaj ka bërë të ditur se njëri nga katër punëtorët është pranuar vetëm për vëzhgim 24-orësh dhe pritet të lirohet të nesërmen, ndërsa tre të tjerët do të vazhdojnë trajtimin ortopedik.
“Gjendja është stabile njëri prej tyre, domethënë është më lehtë, domethënë ai vetëm është pranuar për të u observuar 24 orë dhe unë besoj që do të lëshohet ditën tjetër, ndërsa këta persona të tjerë, domethënë vazhdojnë në mjekimin ortopedik”, ka thënë Jahaj.
Gjashtë punëtorët janë lënduar të mërkurën në një vendpunishte në lagjen Dardania të Prizrenit, pasi është shembur një pllakë betoni.
Pas rastit, Inspektorati Qendror i Punës ka njoftuar se ndaluar punimet në vendpunishten në Prizren.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka bërë të ditur se rreth orës 12:30 Policia është njoftuar nga Emergjenca e Spitalit të Përgjithshëm në Prizren për disa persona të lënduar në vendin e punës.
“Me datën 28.10.2026, rreth orës 12:30, Policia ka pranuar informacion nga Emergjenca e Spitalit të Përgjithshëm në Prizren se aty ndodheshin disa persona të lënduar në vendin e punës. Njësitet policore kanë dalë në spital, ku kanë marrë informacion se në një vendpunishte në lagjen Dardania në Prizren ishte shembur një pllakë betoni, si pasojë e së cilës të paktën gjashtë punëtorë kishin pësuar lëndime, kryesisht të lehta”, ka njofutar Bytyqi.