Gazmend Hoxha ka dhënë dorëheqje nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, pesë ditë pas vrasjes së 49-vjeçares Arlinda Zekaj në Vitomiricë të Pejës.
Lajmi është bërë i ditur nga Zyra e Kryeministrit, e cila ka njoftuar se Albin Kurti e ka pranuar kërkesën për dorëheqje të Hoxhës dhe e ka liruar atë nga detyra.
Në njoftim nuk janë dhënë detaje për arsyet e dorëheqjes së Hoxhës.
Pas propozimit të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Kurti ka caktuar Fehmi Hotin ushtrues detyre të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.
Dorëheqja e Hoxhës vjen në një kohë kur institucionet janë përballur me kritika të shumta pas vrasjes së Arlinda Zekajt, e cila kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet për shkak të kërcënimeve dhe dhunës.
Pas kësaj ngjarjeje, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kishte bërë të ditur se 11 zyrtarë policorë ishin suspenduar pas konstatimit të shkeljeve serioze në veprimet dhe mosveprimet e Policisë, përfshirë moszbatimin e urdhrit të parë për mbrojtje, vonesat në zbatimin e urdhrit të dytë dhe mosrivlerësimin e nivelit të rrezikut ndaj viktimës.
Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, kishte prezantuar gjetjet e raportit për trajtimin institucional të rastit, duke ngritur pikëpyetje për përgjegjësinë e institucioneve të përfshira në zinxhirin e mbrojtjes së Arlindës.
Dorëheqja e Hoxhës vjen pas kërkesave për përgjegjësi institucionale dhe politike, të ngritura pas vrasjes që nxiti reagime dhe protesta në vend.