Protesta në Pejë, ku familjarë, të afërm dhe qytetarë janë mbledhur për të kërkuar drejtësi për Arlinda Zekajn, e cila u vra nga kunati i saj, është tensionuar për pak minuta.
Qytetarët janë përplasur me zyrtarët policorë, teksa protestonin para komunës.
Sot në Pejë po protestohet pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të kësaj komune me 25 tetor.
Protestuesit kanë kërkuar drejtësi për vrasjen të cilën dyshohet se e kreu ish-kunati i Zekajt, Albert Sylaj i cili është arrestuar dhe gjendet në paraburgim.
Pjesmarës në protestë janë edhe familjarë të Arlinda Zekajt.
Njëra prej organizatoreve të protestës ka thënë se të gjitha institucionet kanë dështuar ta mbrojnë jetën e Arlindës.
“Ne sot si qytetarë e bashkëqytetarë të Arlindës kemi ardhur te secili institucion për të kërkuar drejtësi, prandaj marshi do të fillojë nga Komuna e Pejës, do të vazhdojë të Qendra për Punë Sociale, te Policia dhe Gjykata e do të përfundojë të Prokuroria”, është shprehur ajo.
Protestuesit kanë hedhur tymuese e kanë brohoritur “Edhe sa gra të vrara”.
Protesta janë paralajmëruar se do të mbahen edhe në Mitrovicë nga ora 13:00 si dhe në Prishtinë nga ora 16:00.