Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është paraqitur para pak minutash në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, ku pritet të intervistohet nën dyshimet për korrupsion.
Rama është paraqitur i shoqëruar nga avokati i tij, Artan Qerkini.
I pyetur nga gazetarët se në çfarë cilësie do të intervistohet kryetari i Prishtinës, avokati Qerkini ka thënë shkurt se kjo do të bëhet e ditur pas përfundimit të intervistimit.
Kurse Rama u përgjigj shkurt.
““Detyra ime është ta ndërtojë kryeqytetin, detyra e tyre është të shohin që e gjitha bëhet në mënyrë ligjore”, është shprehur shkurt Rama. .”, tha ai.
Intervistimi i Përparim Ramës në Prokurorinë Speciale lidhet me projektin “Arkitekti i Kryeqytetit”, të iniciuar nga Komuna e Prishtinës gjatë qeverisjes së tij.
Rreth këtij projekti janë ngritur dyshime për parregullsi në procedurat e prokurimit publik, duke përfshirë vlerën e kontratës prej 12 milionë eurosh, dyshimet për manipulim me stafin dhe konflikt interesi.
Projekti ka qenë vazhdimisht në qendër të kritikave të opozitës dhe debatit publik, ndërsa deri më tani nuk është bërë e ditur nëse Rama po intervistohet si i dyshuar, dëshmitar apo në ndonjë cilësi tjetër.
Paraqitja e tij në Prokurorinë Speciale vjen disa ditë pasi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi, kishte paralajmëruar një arrestim të mundshëm të kryetarit të Prishtinës, duke shkruar në Facebook: “Përparim Rama… tik tak, tik tak…”.