Shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla, ka reaguar pas paraqitjes së kryetarit të kryeqytetit, Përparim Rama, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, për intervistim nën dyshimet për korrupsion.
Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka ironizuar me Ramën, duke shkruar: “Lëvizja VETËVENDOSJE! është në kuvend. Ku është Përparim Rama, a po dihet?”.
Ndërkohë, Rama është paraqitur të premten në Prokurorinë Speciale, ku pritet të intervistohet lidhur me projektin “Arkitekti i Kryeqytetit”, të iniciuar nga Komuna e Prishtinës gjatë udhëheqjes së tij.
Kryetari i Prishtinës është paraqitur i shoqëruar nga avokati i tij, Artan Qerkini. I pyetur nga gazetarët se në çfarë cilësie do të intervistohet Rama, avokati ka thënë se kjo do të bëhet e ditur pas përfundimit të intervistimit.
Dyshimet rreth projektit “Arkitekti i Kryeqytetit” ndërlidhen me procedurat e prokurimit publik, vlerën e kontratës prej 12 milionë eurosh, si dhe dyshimet për manipulim të stafit dhe konflikt interesi.
Projekti ka qenë në qendër të kritikave të opozitës dhe opinionit publik./Reporteri.net/