Me pankartat “Ultimatumi i popullit” dhe “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”, e me fishkëllima dhe lëshim të altoparlantit, ka nisur sonte marshi protestues nga sheshi “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, në shenjë revolte ndaj vrasjes së grave.

“Burrat vrasin gratë, shteti iu ndihmon”, “Shteti i ka duart me gjak”, ishin disa nga thirrjet në protestë.

Protestuesit me këtë rast vazhduan të kërkojnë dorëheqjen e ministrave të Drejtësisë, Donika Gërvalla dhe atij të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Reklamë

Në marshin drejt Qeverisë, ata lexuan letrën e Arlinda Zekajt që ia kishte dërguar kryeprokurores para se të ndodhë tragjedia. Ndërkohë gjatë gjithë kohës, në të gjitha hapësirat drejt destinacionit ka prani policore për të ruajtur rendin e protestës.

Protesta e pestë radhazi po mbahet pas vrasjes makabre së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, më 25 tetor, nga kunati i saj.

Kujtojmë, 11 zyrtarë policorë janë suspenduar në lidhje me rastin tragjik në Vitomiricë të Pejës.

Po ashtu, janë suspenduar kryeprokurorja dhe prokurorja e Pejës, ndërsa dorëheqje ka dhënë drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.