Gazeta Online Reporteri.net nga burimet e saj ka mësuar detaje të reja për tragjedinë në fshatin Demiraj të Gjilanit, ku në një shtëpi u gjetën të vdekur një burrë dhe një foshnjë rreth tre muajshe.

Sipas informacioneve të fundit që ka siguruar Gazeta Online Reporteri.net dyshohet se fillimisht 27-vjeçari ka privuar nga jeta foshnjën e tij tre muajshe, ndërsa më pas babai i tij dyshohet se e ka mbytur të birin.

Sipas burimeve 27-vjeçari është mbytur me litar nga babai i tij, duke tentuar ta mbrojë foshnjën.

Reklamë

Reporteri.net ka pyetur Policinë Rajonale të Gjilanit nëse është arrestuar ndonjë person, por nuk kanë konfirmuar një gjë të tillë deri në publikimin e këtij shkrimi.

Rasti tragjik ishte raportuar fillimisht nga Reporteri.net, ndërsa më vonë u konfirmua edhe nga Policia e Kosovës.

Sipas njoftimit të Policisë, më 1 nëntor, rreth orës 08:47, është pranuar informacioni për dy trupa të pajetë në një shtëpi në fshatin Demiraj të Gjilanit.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, Prokurori i Shtetit dhe ekipi emergjent mjekësor, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e të dy personave.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupat e pajetë do të dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.

Reklamë

Policia ka bërë të ditur se rasti është cilësuar si “Vdekje e dyshimtë” dhe se janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave. /Reporteri.net/.