Komuna e Shtimes ka njoftuar se Policia e Kosovës po vazhdon iniciativën për prezantimin e policëve të lagjeve, me qëllim forcimin e besimit dhe bashkëpunimit ndërmjet policisë dhe qytetarëve.
Këtë javë, në kuadër të kësaj iniciative, janë prezantuar zyrtarët policorë të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj, përkatësisht të Stacionit Policor në Shtime.
Policët e lagjeve do të jenë në shërbim të qytetarëve, të gatshëm për të dëgjuar, ndihmuar dhe adresuar shqetësimet e tyre që lidhen me sigurinë.
Sipas njoftimit, kjo iniciativë synon përmirësimin e komunikimit ndërmjet policisë dhe komunitetit, si dhe krijimin e një ambienti më të sigurt për të gjithë qytetarët.