Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj B.D., të dyshuar për veprën penale “Vrasje e rëndë”, në rastin ku të dielën u gjetën të vdekur një 27-vjeçar dhe vajza e tij tre muajshe në fshatin Demiraj të Gjilanit.

Në njoftimin e publikuar të hënën, Prokuroria ka bërë të ditur se i dyshuari është babai i 27-vjeçarit dhe se ai ishte ndaluar për 48 orë.

Megjithatë, Prokuroria nuk ka dhënë detaje lidhur me rrethanat në të cilat kanë ndodhur vdekjet, as nuk ka sqaruar se çfarë dyshohet të ketë ndodhur brenda shtëpisë ku u gjetën trupat e pajetë.

Reklamë

Gazeta Online Reportei.net ka raportuar të dielën se dyshohet që 27-vjeçari fillimisht ka mbytur foshnjën e tij, ndërsa babai i tij ka ndërhyrë në përpjekje për ta mbrojtur mbesën. Gjatë përplasjes, sipas këtyre burimeve, dyshohet se ai e ka mbytur të birin me litar.

Prokuroria ka njoftuar se kërkesën për caktimin e paraburgimit e ka dorëzuar të hënën në Gjykatën Themelore në Gjilan, ndaj të dyshuarit B.D., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173 i Kodit Penal të Kosovës.

Ndërkohë, Prokuroria ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet relevante policore dhe Prokurori i Shtetit, ndërsa hetimet po vazhdojnë në koordinim me Policinë e Kosovës, me qëllim të ndriçimit të plotë të gjendjes faktike.

Deri më tani, institucionet e drejtësisë nuk kanë dhënë një sqarim zyrtar për rrjedhën e ngjarjes dhe rrethanat që çuan në vdekjen e 27-vjeçarit dhe foshnjës së tij. As Policia nuk tha nëse 65-vjeçari dyshohet për vrasje të dyfishtë. /Reporteri.net/

Reklamë