Veton Elshani është emëruar drejtor i Departamentit të Kufirit në Policinë e Kosovës.
Lajmin e ka konfirmuar vetë Elshani për gazetën online Reporteri.net.
Deri më tani, Elshani ka shërbyer si zëvendësdrejtor i Drejtorisë Rajonale të Policisë Mitrovicë-Veri, pozitë në të cilën ishte caktuar në prill të vitit 2023.
Sipas informacioneve, ky ndryshim në strukturat e Policisë së Kosovës është bërë për shkak të nevojave operative të institucionit.
Elshani ka një përvojë disa vjeçare në strukturat e Policisë së Kosovës. Në fillimet e karrierës ka shërbyer si zëdhënës i Policisë, ndërsa më pas ka udhëhequr Drejtorinë për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Fushën e Zbatimit të Ligjit (ILECU).
Në prill të vitit 2019, ai ishte emëruar zëvendësdrejtor i Policisë për Rajonin e Pejës, ku kishte shërbyer për rreth katër vjet, para se të kalonte në rajonin e Mitrovicës së Veriut.
Ndërkaq, Petrit Fejza pritet ta ushtrojë detyrën e zëvendësdrejtorit të Drejtorisë Rajonale të Policisë Mitrovicë-Veri. Deri më tani, Fejza ka qenë shef i Operativës Rajonale në këtë drejtori.