Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar Projektbuxhetin për vitin 2027, i cili u miratua sot nga Qeveria e Kosovës dhe u procedua për shqyrtim në Kuvend.

Përmes një reagimi pas miratimit të buxhetit, Bajrami ka thënë se rritja e buxhetit dhe e Bruto Produktit Vendor në terma nominalë nuk e pasqyron gjendjen reale ekonomike dhe fuqinë blerëse të qytetarëve.

Ajo ka theksuar se nga viti 2021 deri më sot çmimet janë rritur rreth 34 për qind.

Reklamë

“Rritja e buxhetit dhe e Bruto Produktit Vendor në terma nominalë nuk e tregojnë realitetin ekonomik. Sot, mund të marrim më shumë euro, por blejmë shumë më pak se në vitin 2021”, ka shkruar Bajrami.

Sipas saj, rritja e shifrave në letër nuk nënkupton domosdoshmërisht përmirësim të mirëqenies së qytetarëve.

Deputetja e LDK-së ka përmendur edhe largimin e qytetarëve nga Kosova, duke pretenduar se rreth 250 mijë persona e kanë lëshuar vendin që nga viti 2021.

“Fundja, sikur të kishte mirëqenie, nuk e kishin lëshuar vendin rreth 250 mijë qytetarë nga viti 2021”, ka deklaruar Bajrami.

Reklamë

Ndryshe, Qeveria e Kosovës miratoi të hënën Projektbuxhetin për vitin 2027, në vlerë prej 4.27 miliardë eurosh, që është 300 milionë euro më shumë se buxheti bazë i vitit 2026.

Kryeministri Albin Kurti bëri të ditur se buxheti parasheh pagën e 13-të për punonjësit publikë, rritjen e koeficientit të pagave nga 110 në 120 euro nga 1 korriku 2027, si dhe rritjen graduale të shtesave për fëmijë me nga 25 për qind çdo vit.

Po ashtu, për herë të parë janë paraparë mbi një miliard euro për investime kapitale. Buxheti tashmë është proceduar në Kuvendin e Kosovës.