55,59 milionë amerikanë kanë votuar tashmë për zgjedhjet e mesmandatit, rreth 10 milionë më shumë se në vitin 2022, sipas NBC.

Rreth 31,5 milionë votuan personalisht dhe 24,1 milionë me postë. Ndërkohë, një vendim i papritur i një anëtareje demokrate nga shteti i Miçiganit ka shkaktuar tronditje dhe përçarje brenda Partisë Demokrate amerikane, në ditët e fundit përpara zgjedhjeve të mesmandatit që zhvillohen nesër.

Haley Stevens njoftoi mbështetjen e saj për kandidatin republikan Mike Rogers në garën për Senatin, duke braktisur kështu kandidatin demokrat Abdul El-Sayed, i cili e kishte mundur në zgjedhjet paraprake të partisë.

Reklamë

Miçigani konsiderohet një shtet kyç për demokratët, të cilët synojnë të ruajnë kontrollin e një prej vendeve të tyre në Senat.

Sondazhet tani tregojnë se demokratët janë kokë më kokë me republikanët ose madje edhe në avantazh në shumë gara.

Sipas një sondazhi të “Reuters/Ipsos”, popullariteti i Trumpit mes amerikanëve në zonat rurale ka rënë gjithashtu në nivelin më të ulët, në 45 për qind, që nga muaji tetor.

Aktualisht, republikanët gëzojnë një shumicë të ngushtë në të dyja dhomat e Kongresit.

Si demokratët, ashtu edhe shumë republikanë, i kanë përshkruar këto zgjedhje si një referendum mbi politikat e Trumpit.

Reklamë

Nëse demokratët marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve ose të Senatit, ata mund të bllokojnë planin legjislativ të Trump për dy vjetët e tij të fundit në detyrë dhe të nisin një hetim mbi punën e administratës së tij, e cila deri më tani është përballur me një shumicë republikane kryesisht bashkëpunuese.