Presidenti amerikan Donald Trump i është drejtuar Gjykatës së Lartë të SHBA-ve me kërkesën që të detyrojë shtetin e Kalifornisë të veçojë mijëra fletëvotime, të cilat dyshohet se janë hedhur nga persona pa shtetësi amerikane.
Departamenti i Drejtësisë pretendon se ka identifikuar rreth 20 mijë persona në listat e votuesve të regjistruar në Kaliforni, të cilët mund të mos jenë shtetas amerikanë. Për këtë arsye, administrata Trump kërkon që votat e tyre të mos numërohen pa u verifikuar më parë statusi i shtetësisë.
Megjithatë, kjo kërkesë është kundërshtuar nga disa gjykata federale, ndërsa Gjykata e Apelit e Rrethit të Nëntë vendosi të premten të mos lejojë ndërhyrjen e qeverisë federale në procesin e numërimit të fletëvotimeve me postë në Kaliforni.
Sipas gjykatës, qeveria federale nuk ka të drejtë t’u diktojë shteteve mënyrën se si duhet të organizojnë zgjedhjet. Në vendimin e saj, ajo theksoi se nëse administrata amerikane kërkon ndryshimin e procedurave të votimit me postë, këtë çështje duhet ta paraqesë në Kongres dhe jo ta zgjidhë përmes gjykatave.
Nga ana tjetër, Departamenti i Drejtësisë argumenton se qeveria federale ka detyrimin kushtetues të garantojë që në zgjedhjet amerikane të votojnë vetëm shtetasit e vendit. Sipas tij, mosverifikimi i personave të dyshuar përbën pengesë për zbatimin e ligjit që ndalon votimin nga personat pa shtetësi amerikane.
Administrata Trump kërkon që fletëvotimet e kontestuara të mbahen të ndara nga ato të tjera, pasi, sipas saj, pasi të përzihen dhe të përpunohen, do të jetë e pamundur të identifikohen dhe të ndahen.
Por autoritetet e Kalifornisë dhe organizatat për mbrojtjen e të drejtave të votuesve kundërshtojnë këtë kërkesë. Ato thonë se provat e paraqitura nga qeveria federale nuk janë të qarta dhe se një ndërhyrje e tillë mund të çojë në përjashtimin e qytetarëve amerikanë që kanë të drejtë të votojnë.
Gjykata e Apelit vlerësoi gjithashtu se nuk ka prova të mjaftueshme për të konfirmuar përmasat e pretenduara të votimit nga persona pa shtetësi, ndërsa paralajmëroi se pranimi i kërkesës së Trump mund të rrezikojë të drejtën e votës së qytetarëve të ligjshëm.
Vendimi nuk u mbështet nga të gjithë gjyqtarët. Gjyqtari Patrick Bumatay, i emëruar nga Trump, argumentoi se kërkesa e administratës ishte një masë e kufizuar, që synonte vetëm mbajtjen e ndarë të fletëvotimeve të kontestuara deri në verifikimin e tyre.
Çështja pritet të marrë rëndësi të veçantë në Gjykatën e Lartë, e cila duhet të shqyrtojë edhe një tjetër argument ligjor, të njohur si “Parimi Purcell”. Ky parim nënkupton se gjykatat duhet të shmangin ndryshimin e rregullave zgjedhore në momentet e fundit, kur procesi i votimit ka nisur ose është në zhvillim.
Ndërkohë, dhjetëra miliona amerikanë kanë votuar tashmë përmes votimit të parakohshëm, duke e bërë edhe më të ndjeshme çdo ndërhyrje në procesin zgjedhor.
Trump ka pasur vendime të ndryshme nga Gjykata e Lartë në çështjet e lidhura me zgjedhjet. Në shtator, gjyqtarët rrëzuan kërkesën e tij për t’i dhënë Shërbimit Postar amerikan kompetenca të veçanta për të mos dorëzuar disa kategori fletëvotimesh të dërguara me postë. Megjithatë, pak ditë më vonë, Gjykata lejoi Departamentin e Sigurisë Kombëtare të vazhdonte t’u transmetonte autoriteteve zgjedhore të dhëna mbi shtetësinë e votuesve.
Tashmë, vendimi i Gjykatës së Lartë për kërkesën e fundit të Trump mund të ketë ndikim të rëndësishëm në mënyrën se si trajtohen fletëvotimet e kontestuara në Kaliforni.