Byroja për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikuar do të merret me verifikimin e pasurisë së zyrtarëve publikë, përfshirë edhe rastet kur ajo dyshohet se është bartur te persona të tretë për të fshehur prejardhjen e saj. Në rastet kur pasuria nuk mund të justifikohet me të ardhurat e ligjshme, Byroja do t’i drejtohet gjykatës për të kërkuar konfiskimin e saj.
Kështu ka deklaruar kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila e ka cilësuar këtë mekanizëm ndër instrumentet më të rëndësishme për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në një intervistë për RTK-në, Haxhiu ka shpjeguar se Byroja nuk do të ketë kompetencë të konfiskojë drejtpërdrejt pasurinë, pasi vendimi përfundimtar do të merret nga gjykata.
“Kur ka shpërputhje nga të ardhurat, pra paga e zyrtarit, dhe në anën tjetër pasuria, atëherë kërkon që ajo pasuri të arsyetohet, të justifikohet. Pra, ku është burimi, prej nga është blerë banesa, prej nga është blerë kerri, prej nga është blerë shtëpia në bregdet”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo ka bërë të ditur se verifikimi mund të nisë në bazë të deklarimeve të zyrtarëve publikë, me iniciativë të vetë Byrosë, pas informacioneve nga institucionet apo raportimeve nga palët e treta, përfshirë qytetarët.
“Në rrethanat kur ne nuk mund ta justifikojmë pasurinë që e kemi krijuar, atëherë Byroja kërkon nga gjykata që pasuria e tillë të konfiskohet. Pra, do të jetë vendim i gjykatës”, ka thënë ajo.
Sipas Haxhiut, ligji do të zbatohet ndaj zyrtarëve publikë edhe pas përfundimit të mandateve të tyre. Në procesin e verifikimit do të përfshihen edhe personat e tretë, në rastet kur dyshohet se pasuria është bartur tek ata për t’iu shmangur kontrollit.
Ajo ka theksuar se ky mekanizëm nuk synon të përfshijë të gjithë qytetarët, por zyrtarët publikë që dyshohet se kanë krijuar pasuri të pajustifikueshme duke keqpërdorur detyrën zyrtare.
Para se ligji të procedohet për dekretim te presidentja, duhet të përfundojë afati tetëditor brenda të cilit deputetët dhe palët e tjera të autorizuara mund ta dërgojnë atë në Gjykatën Kushtetuese.
Haxhiu ka bërë të ditur se pas hyrjes në fuqi të ligjit, Kuvendi do ta zgjedhë drejtorin e Byrosë. Ajo ka vlerësuar se përzgjedhja e stafit me integritet të lartë moral dhe profesional do të jetë thelbësore për funksionimin e këtij institucioni.
Sipas saj, Byroja duhet të shërbejë edhe si mekanizëm parandalues, në mënyrë që askush të mos e shohë politikën si mundësi për pasurim të paligjshëm.
Haxhiu për protestat në Shqipëri: Dhuna duhet të ndalet nga të dyja palët
Kryetarja e Kuvendit ka komentuar edhe protestat në Shqipëri, duke kërkuar ndaljen e dhunës si ndaj protestuesve, ashtu edhe ndaj pjesëtarëve të Policisë.
Ajo ka theksuar se institucionet duhet të zhvillojnë takime me protestuesit dhe t’i shqyrtojnë kërkesat e studentëve, duke rikujtuar se protesta është një e drejtë demokratike.
“Nuk është e lehtë me parë dhunën as kundrejt protestuesve dhe as kundrejt policëve të cilët janë të uniformuar. Prandaj edhe kemi kërkuar që dhuna të ndalet nga të dyja palët dhe të dëgjohen kërkesat e studentëve”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo ka mohuar pretendimet se Lëvizja Vetëvendosje ka nxitur qytetarët e Kosovës të marrin pjesë në protestat në Shqipëri.
“Asnjëherë Lëvizja Vetëvendosje nuk ka bërë thirrje as publike e as jopublike që të marrin pjesë qytetarët e Kosovës në këto protesta. Prandaj nuk mund të mbahet përgjegjëse Vetëvendosja”, ka thënë ajo.
Haxhiu ka vlerësuar se pretendimet për përfshirjen e Vetëvendosjes në organizimin e protestave mund të ndikojnë në raportet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Ajo ka thënë se Kosova i sheh zhvillimet në Shqipëri si çështje që e prekin edhe atë, duke shprehur dëshirën që situata të qetësohet dhe duke ofruar gatishmërinë për të kontribuar në këtë drejtim.
Haxhiu për zhvillimet në Serbi: Është herët të flitet për qasjen ndaj Kosovës
Duke folur për zhvillimet politike në Serbi, Haxhiu ka thënë se ende është herët të vlerësohet se çfarë qasjeje do të ketë udhëheqja e re ndaj Kosovës, pasi qëndrimet e listës studentore për këtë çështje nuk janë bërë ende të qarta.
Ajo ka mirëpritur rënien e regjimit të Aleksandar Vuçiqit, duke e cilësuar atë si një zhvillim të rëndësishëm, por ka theksuar se mbetet të shihet nëse ndryshimet politike do të sjellin edhe ndryshim të politikës së Serbisë ndaj Kosovës.
“Ne vlerësojmë faktin që regjimet autoritare si regjimi i Vuçiqit bien, pra ku ka ndëshkim të popullit, të qytetarëve për këto regjime autoritare”, ka deklaruar ajo.
Haxhiu ka përmendur pengesat që, sipas saj, Serbia ia ka shkaktuar Kosovës ndër vite, duke veçuar sulmin në Banjskë, atë ndaj infrastrukturës së Ibër-Lepencit, si dhe sulmet ndaj gazetarëve, pjesëtarëve të KFOR-it, policëve dhe qytetarëve.
Ajo ka thënë se ende nuk ka siguri nëse ndryshimet politike në Serbi do të sjellin njohjen e Kosovës, pranimin e krimeve të kryera gjatë luftës apo ndërprerjen e pengesave për anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë.
“Unë nuk është që mund të them që ne kemi plot besim që qasja, mentaliteti atje do të ndryshojë, do të njihet Republika e Kosovës, nuk do të pengohet Republika e Kosovës, do të pranohen krimet, do të dorëzohet në Kosovë kryeterroristi Milan Radoiçiq dhe grupi i tij”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo ka shtuar se duhet pritur për të parë se cilat do të jenë qëndrimet dhe veprimet konkrete të udhëheqjes së re në raport me Kosovën.
Haxhiu: Kosova ka humbur dy vjet, tani na presin shumë reforma
Në intervistën për RTK-në, Haxhiu ka folur edhe për krizën institucionale në Kosovë, duke vlerësuar se vendi ka humbur dy vjet për shkak të krizave politike dhe vonesave në funksionalizimin e institucioneve.
Ajo ka thënë se pas zgjedhjes së presidentes Justina Shiroka-Pula janë krijuar kushtet për rikthimin e funksionalitetit institucional dhe adresimin e reformave që kanë mbetur pa u trajtuar.
Sipas saj, krizat politike kanë lënë shumë punë të papërfunduara, ndërsa marrëveshja për zgjedhjen e presidentes ka shmangur shkuarjen e vendit në zgjedhje të reja.
“Republika e Kosovës i ka pasur dy vite të humbura nëse e marrim shkurtin e vitit të kaluar, kur edhe patën përfunduar zgjedhjet e jashtëzakonshme pas një mandati të qeverisë në atë kohë. Dhe për dhjetë muaj nuk arritëm që ta zgjedhim kryetarin e Kuvendit, rezistencë, justifikime nga ana e opozitës”, ka deklaruar Haxhiu.
Duke folur për zgjedhjen e presidentes, ajo ka thënë se dërgimi i vendit në zgjedhje për shkak të kësaj çështjeje do të ishte i pajustifikueshëm.
“Unë konsideroj që ka qenë komplet e pajustifikueshme, pa asnjë arsye që ta çojmë vendin në zgjedhje për shkak të presidentit. Prandaj e vlerësoj që së fundi ne kemi arritur një marrëveshje, ndonëse në momentet e fundit dhe ndonëse jo e si me thënë dakorduar paraprakisht, por mendoj që arritëm për brenda kohës që kishim në dispozicion që ta votonim presidenten, zonjën Shiroka Pula, me një mandat pesëvjeçar”, ka thënë ajo.
Haxhiu ka rikujtuar edhe periudhën kur kishte ushtruar detyrën e presidentes për gjashtë muaj, duke thënë se në atë kohë kishte pasur paqartësi lidhur me atë se kush do ta ushtronte këtë funksion pas përfundimit të mandatit të saj.
“Ju e dini që unë kam qenë ushtruese e detyrës së presidentes për një mandat prej gjashtë muajve dhe ka qenë e paqartë, prandaj i ishim drejtuar Gjykatës Kushtetuese se cili do të jetë presidenti apo presidentja në rast se mua më përfundonte mandati”, ka deklaruar ajo.
Ajo ka vlerësuar se zgjedhja e presidentes e ka shmangur një proces të ri zgjedhor, ndërsa ka përmendur edhe vendimin e Hagës të 16 shtatorit, të cilin e ka cilësuar të padrejtë.
“Shumë punë kanë mbetur pa u adresuar, shumë reforma që na presin, por konsideroj që tani jemi në rrugë të mbarë për t’i adresuar të gjitha përgjegjësitë që i kemi para qytetarëve”, ka përfunduar Haxhiu.