Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë të ditur se numri i rasteve të konfirmuara me fruth në vend ka arritur në 269, prej të cilave 27 janë regjistruar vetëm gjatë javës së fundit.
Sipas njoftimit të Institutit, rastet janë evidentuar në 23 komuna të Kosovës, ndërsa pjesa dërrmuese e të prekurve janë fëmijë.
IKShPK ka bërë të ditur se mbi 95 për qind e rasteve të konfirmuara i përkasin personave që nuk janë vaksinuar me vaksinën MMR, e cila mbron nga fruthi, parotiti dhe rubeola.
“Fruthi vazhdon – vaksinimi mbron çdo fëmijë!”, thuhet në apelin e Institutit, i cili ka theksuar se vaksinimi mbetet masa kryesore për parandalimin e sëmundjes dhe kufizimin e përhapjes së saj.
Instituti ka paralajmëruar se fruthi është sëmundje shumë ngjitëse dhe mund të shkaktojë komplikime serioze, veçanërisht te fëmijët e vegjël.
“Vaksinimi me kohë i mbron fëmijët nga kjo sëmundje dhe ndihmon në mbrojtjen e komunitetit, përfshirë foshnjat dhe personat që, për arsye shëndetësore, nuk mund të vaksinohen”, thuhet në njoftim.
IKShPK ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me institucionet shëndetësore, po vazhdon edhe vaksinimin plotësues për fëmijët që nuk janë vaksinuar ose që nuk i kanë marrë të dy dozat e parapara.
Gjatë këtij viti, përmes këtyre aktiviteteve janë vaksinuar mbi 4 mijë e 6 fëmijë të grupmoshës 2 deri në 5 vjeç.
Instituti u ka bërë thirrje prindërve që të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe, në rast se kanë humbur ndonjë dozë, të kontaktojnë ekipet e vaksinimit për ta plotësuar atë.
“Asnjë fëmijë nuk duhet të mbetet i pambrojtur për shkak të vaksinimit të vonuar ose të papërfunduar”, thuhet në apelin e IKShPK-së.
Sipas Institutit, periudha për të cilën janë raportuar rastet e konfirmuara është nga 16 prilli deri më 1 nëntor 2026.