Gjatë vitit 2025 janë regjistruar 3 mijë e 775 raste të reja me kancer në Kosovë, bëri të ditur Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Raportin e sëmundjeve malinje për periudhën janar-dhjetor 2025”.
Sipas këtij raporti të publikuar, gratë përbëjnë 51% të rasteve të reja të prekura me kancer në Kosovë, ndërsa burrat 49%.
Grupmosha më e prekur është ajo mbi 60 vjeç.
Kanceri i gjirit dhe kanceri i organeve gjenitale femërore janë tumoret më të shpeshta tek gratë, ndërsa te meshkujt më së shumti paraqitet kanceri i lëkurës, i mushkërive dhe prostatës.
Raporti paraqet edhe numrin e përgjithshëm të personave me sëmundje malinje të raportuar gjatë vitit 2025, ku përfshihen edhe pacientët e diagnostikuar në vitet paraprake, që është 5 mijë e 564 persona gjithsej.
IKSHPK ka sqaruar se të dhënat janë mbledhur nga institucionet shëndetësore publike dhe private të Kosovës, përmes Regjistrit Popullativ të Sëmundjeve Malinje.
Në raport thuhet se Prishtina prin me numrin më të madh të rasteve të reja, gjithsej 652. Pas saj vijnë: Peja me 259 raste, Gjakova dhe Prizreni me nga 236 raste, Ferizaj me 209, Mitrovica me 188, Podujeva me 172 dhe Vushtrria me 169 raste.