Kombëtarja e Kosovës në hendboll po i zhvillon përgatitjet e fundit para ndeshjes së parë kualifikuese për Kampionatin Evropian 2028, ku kundërshtare do t’i ketë Ishujt Faroe.

Dardanët të hënën kanë udhëtuar drejt Torshavnit, ku të mërkurën, nga ora 20:00, do të përballen me përfaqësuesen vendase në kuadër të Grupit 4.

Përveç Kosovës dhe Ishujve Faroe, në këtë grup bëjnë pjesë edhe Hungaria dhe Mali i Zi.

Reklamë

Dy kombëtaret e para të grupit sigurojnë pjesëmarrjen në Evropian, ndërsa biletën për këtë garë do ta fitojnë edhe katër kombëtaret më të mira që përfundojnë në vendin e tretë, nga tetë grupet kualifikuese.

Ishujt Faroe konsiderohen favoritë në këtë përballje, por në kampin e Kosovës mbizotëron përkushtimi dhe vendosmëria për të dhënë maksimumin në ndeshjen hapëse të kualifikimeve.

Përvoja nga ndeshjet e mëparshme në kryeqytetin e ishullit pritet të jetë një ndihmë për hendbollistët kosovarë, të cilët tashmë e njohin atmosferën që i pret në këtë udhëtim.

Selektori Jesper Östlund ka në dispozicion lojtarët e llogaritur për këtë ndeshje, ndërsa në këtë grumbullim mungojnë kapiteni Valon Dedaj dhe Leonard Gegaj.

Pas sfidës me Ishujt Faroe, Kosova do të kthehet në vend për ndeshjen e dytë kualifikuese, ku të dielën do ta presë Hungarinë në Ferizaj.

Reklamë