Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kritikuar ndarjen buxhetore të Qeverisë për projektin e Unazës së Jashtme të Prishtinës, duke thënë se për këtë projekt janë paraparë vetëm një milion euro për tërë vitin 2027.
Në një reagim, Bajrami ka vënë në pikëpyetje deklaratat e kryeministrit Albin Kurti, i cili gjatë prezantimit të buxhetit të ri kishte thënë se për vitin 2027 do të ndahen mbi një miliard euro vetëm për investime kapitale.
“A e dini sa buxhet kishin ndarë për ‘Unazën e Jashtme të Prishtinës’? Një milion euro për komplet vitin 2027. Po besoj, ky është shembulli më i mirë me tregu çfarë investimesh të mëdha kapitale ka projektu Kurti për 2027”, ka shkruar Bajrami.
Kurti, në mbledhjen e Qeverisë ku prezantoi projektbuxhetin për vitin 2027, kishte deklaruar se për herë të parë do të ndaheshin mbi një miliard euro për investime kapitale.
Ai kishte përmendur ndërtimin e disa projekteve rrugore, përfshirë Unazën e Jashtme të Prishtinës, segmentin Duhël-Banullë, autoudhën e Dukagjinit dhe rrugë të tjera rajonale e nacionale.
Unaza e Jashtme e Prishtinës është një projekt që ka qenë në qendër të përplasjeve mes Komunës së Prishtinës dhe Qeverisë. Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, kishte akuzuar ekzekutivin se po e pengonte realizimin e tij, duke mos i dhënë komunës mundësinë për të marrë një kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Projekti parasheh ndërtimin e rreth 29 kilometrave rrugë dhe është cilësuar nga Rama si një prej investimeve më të rëndësishme për zgjidhjen e problemeve të trafikut në kryeqytet.