Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka shprehur ngushëllime për familjet Ademi, Fazliu dhe Haliti, pas konfirmimit të identitetit të mbetjeve mortore të tre pjesëtarëve të “Grupit të Intelektualëve”, të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Përmes një postimi, Haxhiu ka bërë të ditur se analizat e reja të ADN-së nga zhvarrosjet në Kalludër dhe Jabukë, të pranuara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, kanë konfirmuar se mbetjet mortore të gjetura në këto lokacione u përkasin Adem Ademit, Fatmir Fazliut dhe Ali Halitit.
Ajo ka theksuar se familjet e tyre për më shumë se 27 vjet kanë kërkuar të mësojnë për fatin dhe vendndodhjen e trupave të më të dashurve të tyre.
“Forcat serbe i kishin vrarë dhe varrosur fshehurazi, me qëllim që të zhduknin gjurmët e krimit”, ka shkruar Haxhiu.
Kryetarja e Kuvendit ka shprehur bashkëndjenjën edhe me familjet e tjera të “Grupit të Intelektualëve” dhe me të gjitha familjet në Kosovë që ende presin të mësojnë për vendndodhjen e të afërmve të tyre të zhdukur me dhunë gjatë luftës.
Haxhiu ka kërkuar që Serbia të mbajë përgjegjësi për krimet e kryera dhe të publikojë të gjitha të dhënat që posedon për personat e zhdukur, përfshirë lokacionet e varrezave të tjera masive.