Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rrustem Mustafa, i njohur si Remi, ka deklaruar se brenda Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës ka akterë që e shohin të mundshëm një koalicion mes dy partive.

Në T7, Mustafa tha se sipas bindjes së tij ekziston disponimi i disa akterëve në të dy subjektet politike për një bashkëpunim të tillë.

Ai e lidhi këtë edhe me bashkëpunimin që, sipas tij, duhet të vazhdojë në raport me Gjykatën Speciale dhe strategjinë shtetërore.

Reklamë

“Nuk kam hequr dorë nga bashkëpunimi i mëtejshëm me LVV-në, që ta çojmë deri në vend e të ecim edhe përtej nevojës për Gjykatën Speciale”, ka deklaruar Mustafa.

Duke folur për Ligjin për Gjykatën Speciale, ai tha se nuk e kupton pse është kthyer, duke shtuar se për të ka qenë me rëndësi që ai të kalonte dhe të sillte stabilitet politik.

“Për mua ka qenë e rëndësishme me kalu ligji, me ardhë stabiliteti politik. Unë sot nuk e di pse ai ligj është kthyer. Nuk ka mundësi me u kthy më keq se që ishte”, u shpreh Mustafa.