Pak ditë pas dorëheqjes së Gazmend Hoxhës nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme ka hapur konkurs për përzgjedhjen e drejtorit të ri të këtij institucioni.
Sipas konkursit të publikuar nga MPB-ja, drejtori i ri do të ketë mandat pesëvjeçar, me mundësi vazhdimi edhe për pesë vjet të tjera, në përputhje me Ligjin për Policinë.
Për të kandiduar për këtë pozitë, të interesuarit duhet të jenë shtetas të Kosovës, të kenë diplomë universitare nga një universitet i akredituar dhe të kenë mbajtur gradën policore kolonel, nënkolonel ose major për së paku pesë vjet.
Kandidatët, gjithashtu, nuk duhet të kenë qenë të dënuar për vepra penale me vendim të formës së prerë, të mos jenë ndëshkuar për shkelje të rënda disiplinore gjatë dhjetë vjetëve të fundit dhe të mos kenë konflikt interesi me ushtrimin e kësaj detyre.
Përveç kushteve ligjore, kandidatët do t’i nënshtrohen edhe verifikimit të sigurisë. Në vlerësimin profesional do të merren parasysh aftësitë për udhëheqje strategjike, menaxhim të personelit dhe buxhetit, vendimmarrje në situata komplekse, si dhe integriteti profesional dhe përkushtimi ndaj zbatimit të ligjit.
Aplikimet mund të dorëzohen fizikisht në Ministrinë e Punëve të Brendshme, përmes postës apo në adresën elektronike të përcaktuar në konkurs.
Afati për aplikim fillon më 5 nëntor dhe përfundon më 19 nëntor 2026, në orën 16:00.
Shqyrtimi dhe vlerësimi i aplikacioneve, përzgjedhja e kandidatëve për intervistë dhe intervistimi do të bëhen nga Komisioni për Emërime të Larta në Polici.
Gazmend Hoxha dha dorëheqje më 30 tetor, pas vrasjes së Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.
Pas dorëheqjes së tij, në pozitën e ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë u caktua Fehmi Hoti. /Reporteri.net/