Chris Pappas ka hyrë në histori si senatori i parë që deklarohet hapur homoseksual në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi fitoi zgjedhjet në shtetin e New Hampshire, duke mposhtur kandidatin republikan dhe ish-senatorin John Sununu.
Demokrati 46-vjeçar siguroi 56% të votave, duke mbajtur për demokratët këtë mandat në Senat, pas largimit të senatores Jeanne Shaheen, e cila kishte shërbyer për tre mandate. Fitorja e tij është përshëndetur menjëherë nga organizatat që mbrojnë të drejtat e komunitetit LGBTQ+, mes tyre Human Rights Campaign dhe GLAAD, të cilat e cilësuan rezultatin si një moment historik për përfaqësimin dhe barazinë në politikën amerikane.
Pappas nuk është një emër i panjohur në politikën amerikane. I diplomuar në Harvard, ai ka një karrierë të gjatë politike në New Hampshire, ku u zgjodh për herë të parë në një funksion publik kur ishte ende në të njëzetat. Që prej vitit 2018, ai ka shërbyer në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, ku ka qenë gjithashtu bashkëkryetar i Komisionit për Barazinë.
Megjithatë, përpara se të bëhej një figurë e njohur politike, emri i tij lidhej kryesisht me restorantin e familjes me origjinë greke në qytetin e Manchesterit, Puritan Backroom, ku ai është ende bashkëpronar.
Gjatë fushatës elektorale, Pappas u përqendrua kryesisht te inflacioni dhe problemet ekonomike të qytetarëve, duke mos e vendosur orientimin e tij seksual në qendër të mesazhit politik. Megjithatë, fitorja e tij merr një rëndësi të veçantë në një periudhë kur të drejtat e komunitetit LGBTQ+ janë kthyer në një prej çështjeve më të debatuara në SHBA.
Pappas është martuar që prej vitit 2023 me Vann Bentley, i cili e ka shoqëruar edhe gjatë disa aktiviteteve të fushatës. Gjatë punës së tij në Kongres, demokrati është angazhuar për miratimin e Equality Act, një projektligj që synon të zgjerojë mbrojtjen ligjore kundër diskriminimit, duke përfshirë edhe identitetin gjinor dhe orientimin seksual.
Megjithatë, historia e përfaqësimit të homoseksualëve në politikën amerikane është e hershme. Në vitin 1987, demokrati Barney Frank nga Massachusetts u bë një prej politikanëve të parë të Kongresit që deklaroi publikisht se ishte homoseksual, ndërsa në vitin 2012 Tammy Balduin nga Uisconsin u bë gruaja e parë hapur homoseksuale e zgjedhur në Senatin amerikan.
Me fitoren e Pappas, 14 vite më vonë, Senati shënon një tjetër moment historik, këtë herë me zgjedhjen e burrit të parë që deklarohet hapur homoseksual. Zgjedhjet e vitit 2026 kanë sjellë edhe disa rekorde të tjera historike në politikën amerikane, me zgjedhjen e senatorit të parë mysliman, guvernatorit të parë me ngjyrë në Florida dhe grave që kanë thyer barriera të rëndësishme në drejtimin e shteteve amerikane.