Zvicra ka regjistruar për herë të parë raste të transmetimit lokal të virusit Chikungunya, i cili përhapet përmes mushkonjës tigër.
Katër persona janë infektuar në kantonin e Ticinos, në zonën e Fushës së Magadinos, pranë qytetit të Bellinzonës, kanë bërë të ditur autoritetet shëndetësore zvicerane.
Sipas televizionit publik zviceran SRF, personat e infektuar nuk kishin udhëtuar së fundmi në vende ku virusi është i përhapur, çka tregon se infektimi ka ndodhur brenda territorit të Zvicrës.
Departamenti i Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale i Ticinos ka bërë të ditur se të katër pacientët kanë pasur ecuri të favorshme klinike.
Megjithatë, ata vazhdojnë të përjetojnë dhimbje të kyçeve, ndërsa gjendja e përgjithshme shëndetësore është e mire.
Virusi Chikungunya transmetohet përmes mushkonjave të gjinisë Aedes, përfshirë mushkonjën tigër aziatike.
Simptomat zakonisht shfaqen shtatë deri në nëntë ditë pas pickimit dhe përfshijnë temperaturë të lartë, dhimbje të forta të kyçeve dhe muskujve, dhimbje koke dhe, në disa raste, skuqje të lëkurës.
Edhe pse shumica e infeksioneve kanë ecuri të lehtë, dhimbjet e kyçeve mund të zgjasin me javë apo edhe muaj.
Sipas autoriteteve zvicerane SRF, situata aktualisht konsiderohet me rrezik të ulët për popullatën.
Rastet në Ticino janë transmetimet e para të njohura në mënyrë lokale të virusit në Zvicër, pas rasteve të raportuara më herët në Francë dhe Itali.
Mushkonja tigër është e pranishme në Zvicër që nga viti 2003, kur u konstatua për herë të parë në kantonin e Ticinos.
Në vitin 2007, pranë Chiassos u regjistrua popullata e parë e qëndrueshme e kësaj specieje. Me kalimin e viteve, ajo është përhapur edhe në zona të tjera, përfshirë Bazelin dhe Cyrihun.
Ndërkohë, Zyra Federale e Shëndetit Publik në Zvicër kishte regjistruar 55 raste të infektimit me Chikungunya te personat që ishin kthyer nga udhëtimet jashtë vendit, gjatë periudhës janar-gusht të vitit 2026.
Në Zvicër, që nga prilli i vitit 2026, është miratuar edhe vaksina Vimkunya kundër virusit Chikungunya për personat mbi 12 vjeç.
Megjithatë, sipas rekomandimeve të ekspertëve zviceranë të mjekësisë së udhëtimeve, vaksinimi rekomandohet për personat që udhëtojnë në zona ku aktualisht ka shpërthime të virusit, dhe jo si masë e përgjithshme brenda Zvicrës.