Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka folur për ftesat që kanë marrë nga Prokuroria, duke thënë se puna e ekzekutivit komunal është zhvillimi i kryeqytetit, ndërsa Prokuroria duhet të vlerësojë nëse projektet po realizohen në përputhje me ligjin.

Në një prononcim për media, Rama ka thënë se i ka bërë thirrje Prokurorisë që të mos bëhet pjesë e ndikimeve politike.

Ai ka përmendur si shembull projektin e sheshit në rrugën “Xhorxh Bush”, ku thotë se kanë pasur pengesa nga niveli qendror.

Reklamë

“Puna jonë është me e zhvillu kryeqytetin, puna e Prokurorisë është me e pa a po i bëjmë të gjitha brenda ligjit. Të gjithë po i kryejmë punët tona. Unë vetëm kam bërë ftesë ndaj Prokurorisë që të mos bjerë pre e politikës. Për shembull, kemi zhvillimin e projektit të sheshit në ‘Xhorxh Bush’. E dini se çfarë sfidash kemi pasur me nivelin qendror, janë munduar të na bllokojnë në mënyrë joligjore. Na i kanë humbur një orë e gjysmë apo dy, ndërsa deri sot krejt këtë hapësirë do ta kishim pasur të hapur për qytetarët”, ka deklaruar Rama.

Ai ka shtuar se, sipas tij, Komuna nuk ka vepruar jashtë ligjit, por po përballet me pengesa nga pushteti qendror.

“Nuk jemi duke bërë asgjë jashtë ligjit. Përkundrazi, jemi duke luftuar një pushtet të jashtëligjshëm që po na pengon t’i kryejmë punët tona për të mirën e qytetarëve”, ka thënë Rama.